Tetë alpinistë të zhdukur në Himalaje

08:35 | 2 Qershor 2019
A Z

Një grup prej tetë alpinistësh është zhdukur përderisa po ngjiteshin në malin e dytë më të lartë në Indi. Ekipi, në të cilin ndodhen katër alpinistë nga Britania e Madhe, u nisën për ta pushtuar majën Nanda Devi East në Himalaje më 13 maj.

Kur ata nuk u kthyen në kampin bazë sipas planit që kishin, një ekip i kërkim-shpëtimit u nisën për t’i kërkuar ata. Sidoqoftë, zyrtarët lokalë kanë paralajmëruar se reshjet e mëdha të shiut dhe borës po e pengojnë operacionin e kërkimit.

“I kemi aktivizuar burimet tona për t’i gjetur alpinistët pasi ata nuk u kthyen në kampin bazë, por moti i keq po e pengon operacionin”, tha Vijay Kumar Jogdande, zyrtar i rajonit Pithoragarh.

Një helikopter i forcave ajrore indiane pritet të përdoret të dielën në mëngjes. Në mesin e alpinistëve janë katër alpinistë britanikë, dy amerikanë, një australian dhe një indian.

Ata ishin duke u udhëhequr nga alpinisti britanik me përvojë, Martin Moran, kompania e të cilit ka organizuar shumë ngjitje në Himalaje.

Ka pasur raportime të ndryshme për datën e planifikuar të kthimit të këtij grupi në kampin bazë të tyre. Një zëdhënës i  Zyrës së Jashtme Britanike tha se ata janë në kontakt me autoritetet indiane pas raporteve se në këtë grup ka shtetas britanikë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale