Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në lindjen malore të Afganistanit për të gjetur të mbijetuar, të martën, teksa numri i të vdekurve nga një tërmet i fuqishëm ka kaluar 1.400, ka bërë të ditur qeveria e udhëhequr nga talibanët.
Edhe më shumë se 3.000 persona janë lënduar si pasojë e tërmetit, ka njoftuar më herët Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave në Afganistan
“Të lënduarit po evakuohen, prandaj këto shifra mund të ndryshojnë dukshëm”, ka njoftuar zëdhënësi i institucionit, Yousaf Hammad.
“Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në disa zona, duke bllokuar rrugë, por ato janë rihapur, dhe rrugët e mbetura do të rihapen për të mundësuar qasjen në zonat që ishin vështirë të arritshme”, ka bërë të ditur ai.
Tërmeti prej 6.0 ballësh goditi në natën e së dielës në disa provinca, duke rrafshuar fshatra dhe duke i lënë njerëzit të ngujuar nën rrënojat e shtëpive të ndërtuara kryesisht me tulla prej balte dhe me drurë, dhe të tronditur nga fatkeqësia.
Shumica e viktimave janë regjistruar në provincën Kunar, ku shumë njerëz jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta. Helikopterët po përdoren për evakuimin e të lënduarve drejt spitaleve, dhe agjencitë e ndihmave kanë thënë se ekipet e tyre po rrugëtojnë këmbas për të arritur zonat më të izoluara, për shkak të terrenit të ashpër dhe rrugëve të dëmtuara.
Qeveria e udhëhequr nga talibanët ka bërë thirrje për ndihma ndërkombëtare.
Britania e Madhe është zotuar për ndihmë prej 1 milion funtesh, që do të ndahet mes agjencive humanitare dhe nuk do t’i jepet qeverisë talibane, të cilën Londra nuk e njeh.
Qeveri të tjera, përfshirë atë të Kinës, kanë ofruar ndihma për menaxhimin e fatkeqësisë.
Ky ishte tërmeti i tretë i madh që goditi Afganistanin që prej kthimit të talibanëve në pushtet më 2021, dhe kriza e fundit që prek vendin, i cili po përballet me ndihma të pakësuara, një ekonomi të dobët dhe miliona njerëz të kthyer me forcë nga Irani dhe Pakistani.
Si pasojë e tërmetit të fundit, më shumë se 250.000 njerëz pritet “t’i fryjnë radhët” e atyre që u duhet ndihmë për nevoja elementare, ka thënë Mark Calder nga agjencia e ndihmave World Vision Afghanistan.
“Kjo do të thotë më shumë njerëz që do të jetojnë pa strehim të mirëfilltë, pa qasje në ushqim për familjet e tyre dhe në ujë të pastër, dhe kequshyqerje dhe sëmundje në një situatë ku sistemi i përkujdesjes shëndetësore thjesht s’ka më shumë kapacitet”, është shprehur Calder. /REL/
Njëri nga tre viktimat që vdiqën në vendin e punës në Vjenë ...
Parashikimi i motit për sot
Pas arrestimit për armëmbajtje, Gimbo tregon gjendjen emocio...
Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran
Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike pë...
PFL bën historinë në Spanjë, ndërsa Londra pritet të ndizet ...