Burri i akuzuar për përpjekje për atentat ndaj presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar, është shpallur këtë të martë fajtor nga gjykata.
Ryan Wesley Routh u arrestua në shtator të vitit 2024, pasi një agjent i Shërbimit Sekret e pa atë në disa shkurre pranë Trump International Golf Club në Florida, në një kohë kur Trump ishte duke kandiduar për president. Routh, që u gjet me një pushkë, u akuzua për përpjekje për vrasjen e një kandidati kryesor presidencial, sulm ndaj një oficeri federal dhe shkelje të ligjeve të armëve.
MSNBC shkruan se një juri e shpalli Routh fajtor për të pesë akuzat, dy prej të cilave mbartin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.
Megjithëse nuk kishte asnjë përvojë ligjore, Routh u përfaqësua vetë në gjyq dhe thirri vetëm tre dëshmitarë: një instruktor snajperi dhe dy ish-punonjës të tij. Gjyqtarja Aileen M. Cannon, e ndërpreu disa herë Routh gjatë deklaratës hapëse dhe gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Sipas agjentit të Shërbimit Sekret që e pa i pari, Trump ishte duke luajtur golf në momentin kur Routh u arrestua. Arma e gjetur nga agjentët kishte një teleskop, një karikator të zgjatur dhe një numër serial “të fshirë dhe të palexueshëm”, sipas FBI-së. Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se agjentët gjetën gjithashtu dokumente që përfshinin një listë me dorëshkrim të datave kur Trump pritej të paraqitej.
Një dëshmitar njoftoi autoritetet se Routh i kishte lënë një kuti që përmbante një letër me dorë, e cila thoshte: “E dashur Botë … Kjo ishte një përpjekje për vrasjen e Donald Trump, por më vjen shumë keq që dështova”.
“Nuk kam dashur kurrë të vras askënd,” argumentoi Routh në gjykatë dhe tha se gjëja e vetme për të cilën ishte fajtor ishte që “kujdeset thellësisht për këtë vend.”
Ky incident ishte përpjekja e dytë për atentat ndaj Trump-it gjatë vitit të kaluar, pasi ai i mbijetoi një tjetër atentati në korrik, gjatë një mitingu në Butler, Pensilvani, kur një plumb i kaloi pranë veshit.
Verifikohet respektimi i afatit tremujor për veturat me targ...
Irani shkatërron sistemin kryesor të radarëve mbrojtës të SH...
Moti sot me diell, temperatura arrin në 16 gradë
Trepça fiton dramën ndaj Vëllaznimit, triumfon në çastet e f...
Parashikimi i motit për nesër
Trump pret liderë të Amerikës Latine, shpall koalicionin kun...