
Waving Iran flag above skyline of Tehran at sunset.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, teksa sundimtarët e linjës së ashpër në Teheran kanë përsëritur retorikën armiqësore dhe kërcënimet se do të japin “ndëshkime të ashpra” – përfshirë edhe mundësinë e ekzekutimeve – ndaj protestuesve antiqeveritarë.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian – që më herët konsiderohej nga shumë si relativisht i moderuar në mesin e udhëheqësve të Iranit – më 18 janar paralajmëroi se një sulm ndaj liderit suprem të shtetit, ajatollah Ali Khameneit, do të shkaktonte “një luftë në shkallë të plotë”.
“Një sulm ndaj udhëheqësit të madh të shtetit tonë është i barasvlershëm me një luftë në shkallë të gjerë me kombin iranian”, tha Pezeshkian përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në një fjalim më 17 janar, Khamenei e vlerësoi rolin e Pezeshkianit në shtypjen e protestave të fundit, teksa pranoi se gjatë protestave janë vrarë “disa mijëra” persona.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është kryesori në mesin e udhëheqësve perëndimorë që ka kritikuar regjimin iranian për shtypjen brutale të protestave antiqeveritare.
“Udhëheqje e re” për Iranin
Presidenti Trump tha për Politico – deklarata që u publikuan më 17 janar – se Khamenei ishte fajtor për “shkatërrimin e plotë të vendit dhe përdorimin e dhunës në nivele të papara më parë”, duke shtuar se kishte ardhur koha për të kërkuar një “udhëheqje të re” në Iran.
Sfida e fundit nga Qeverisë teokratike shpërtheu më 28 dhjetor të vitit 2025, me protestuesit që dolën në rrugë për shkak të krizës ekonomike, para se demonstratat të përhapeshin në shkallë më të gjerë.
Trump fillimisht kishte paralajmëruar se SHBA-ja “ishte gati” për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestuesit. Më pas ai kërcënoi se do të ndërmerrte “veprime shumë të forta” nëse Irani do të ekzekutonte protestues pas raportimeve për planifikim të ekzekutimeve.
Më vonë, Trump njoftoi se po pezullonte planet një sulm pasi Irani kishte anuluar 800 ekzekutime, megjithëse Teherani nuk e ka konfirmuar këtë shifër dhe nuk ka treguar nëse planet për varjen e protestuesve janë anuluar krejtësisht.
Grupi Iran Human Rights, me seli në Norvegji, ka verifikuar vrasjen e të paktën 3.428 nga forcat e sigurisë, ndërkaq HRANA, me seli në SHBA, ka verifikuar vdekjen e të paktën 3.308 protestuesve dhe më shumë se 24.000 arrestimeve. Kjo organizatë ka shtuar se 4.382 raste të tjera janë nën shqyrtim.
Grupe të tjera të aktivistëve kanë dhënë shifra shumë më të larta të viktimave, por për shkak të bllokimit të internetit është bërë i vështirë verifikimi i informacioneve.
“Ndëshkime të ashpra”
Ndërkaq, zëdhënësi i gjyqësorit iranian, Asghar Jahangir, ka sugjeruar se ekzekutimet mund të kryhen ende.
“Një sërë veprash janë identifikuar si mohareb, që është një nga ndëshkimet më të rënda islame”, tha ai gjatë një konference për media më 18 janar.
Mohareb, ose lufta kundër Zotit, dënohet me vdekje, sipas ligjeve iraniane./rel
Jo veç në Prizren, Prokuroria aktivizohet në të gjitha komun...
Aksidenti tragjik hekurudhor, MEPJ në kontakt me Spanjën nës...
Shpallet në kërkim Egzon Reshani, i dyshuari për tentim vras...
Blerta Deliu kërkon rinumërim të plotë të votave
“Nuk ndiej më detyrim të mendoj vetëm për paqen”, Trump jep ...
KFOR-i stërvitet për beteja të afërme