Zërat në Parlamentin e brishtë spanjoll bëhen gjithnjë e më antagonistë në debatin rreth vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme
Përderisa shifrat e reja sot për vdekjet nga koronavirusi në Spanjë tejkaluan 15 mijë, debati parlamentar mbi krizën në vend u shndërrua në armiqësor dhe me akuza, transmeton arbresh.info.
Të dhënat e qeverisë së re njoftuan për 683 vdekje që nga e mërkura, që është më e ulët se një ditë më parë, 757, por duke rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve të Spanjës në 15.283.
Numri i rasteve të reja të konfirmuara u rrit me rreth 5.700, duke çuar numrin e përgjithshëm të rasteve mbi 100 mijë.
Në bazë të numrit të banorëve, Spanja ka numrin më të madh të vdekjeve në botë.
Duke debatuar për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 26 prill, një veprim i cili pritet të kalojë gjerësisht, zërat në Parlament ishin dukshëm armiqësore në krahasim me debatet për dy vazhdimet e mëparshme.
“Në votimin e parë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme thashë se nuk je vetëm, në të dytën, unë thashë se gjërat nuk po shkojnë mirë dhe sot duhet të them se kjo nuk është rruga e duhur”, tha Pablo Casado, drejtues i Partisë Popullore.
Casado kritikoi mënyrën se si qeveria e trajton krizën, duke akuzuar qeverinë se gënjen dhe kërkoi publikimin e numrit “real” të vdekjeve nga COVID-19.
“Ju nuk keni absolutisht asnjë autoritet moral të kërkoni lojalitet, por megjithatë, ne do të mbështesim masat për luftimin e pandemisë”, i tha Casado kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez.
Drejtuesi i partisë së ekstremit të djathtë Vox akuzoi qeverinë për përhapjen e dezinformatave dhe korruptimin e mediave.
“Ju nuk keni një plan për ta nxjerrë Spanjën nga kjo tragjedi ose për të shmangur mjerimin që do të vijë, ose atë që keni sjellë”, u tha drejtuesve të koalicionit, Santiago Abascal.
Grindja politike nuk u ndal vetëm në kufijtë e Spanjës. Sanchez paralajmëroi se “një nga sfidat më të mëdha në këtë pandemi ka të bëjë me Evropën”, duke thënë se mungesa e solidaritetit mund ta rrezikojë të gjithë Bashkimin Evropian, duke iu referuar ndarjes veri-jug për ndihmat në luftën kundër COVID-19.
Sanchez zyrtarisht bëri thirrje për një takim me të gjithë politikanët dhe aktorët që janë të interesuar të formojnë një “pakt të madh” për tejkalimin e krizës.
Spanja aktualisht drejtohet nga një koalicion i majtë, i cili arriti të formojë qeverinë vetëm me mbështetjen e gjashtë partive më të vogla. Që nga viti 2015, Spanja ka mbajtur katër palë zgjedhje të përgjithshme./AA
Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...