Prodhuesit ukrainas të dronëve po shfrytëzojnë nevojën në rritje për mbrojtje ajrore si pasojë e konflikteve të fundit në Lindjen e Mesme, duke synuar që teknologjia e zhvilluar gjatë luftës me Rusinë të shndërrohet në një sektor të fuqishëm eksporti.
Lufta në Ukrainë e ka detyruar vendin të bëhet një nga pionierët botërorë në zhvillimin e sistemeve të dronëve, sidomos në fushën e mbikëqyrjes dhe interceptimit të mjeteve ajrore pa pilot. Tashmë, përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme shihet si një mundësi e re për ta çuar këtë teknologji në tregun global.
Në kuadër të përpjekjeve për të eksportuar sistemet dhe njohuritë e Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelenskiy ka zhvilluar një vizitë në rajonin e Gjirit, me synim arritjen e marrëveshjeve me shtete që janë përballur së fundmi me valë sulmesh iraniane me dronë.
“Ukraina po ndan ekspertizë që nuk është e disponueshme në Lindjen e Mesme,” ka deklaruar Zelenskiy për Reuters. Ai ka theksuar se përvoja ukrainase nuk lidhet vetëm me prodhimin e një droni, por me ndërtimin e një sistemi të tërë mbrojtës ku dronët janë vetëm një pjesë e strategjisë.
Sipas tij, Ukraina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi kornizë me Arabinë Saudite dhe Katarin, ndërsa një marrëveshje e ngjashme është në proces edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe. Zelenskiy ka paralajmëruar se eksportet e armëve duhet të koordinohen në nivel qeveritar, duke kërkuar nga kompanitë që të mos angazhohen drejtpërdrejt me klientët.
Ndër produktet që kanë ngjallur interes të madh në tregjet e Lindjes së Mesme është edhe droni detar ukrainas “Magura”, i cili po shihet si një mjet efektiv në luftën moderne.
Figura të industrisë së mbrojtjes kanë vlerësuar se tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kanë nxjerrë në pah rolin vendimtar të dronëve sulmues dhe dobësitë e shumë shteteve përballë këtyre kërcënimeve.
Në këtë kontekst, Ukraina po sheh një mundësi për të rifilluar eksportet dhe për të krijuar një industri të fuqishme që mund të luajë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas luftës.
Prodhuesit kryesorë ukrainas të dronëve interceptues kanë konfirmuar se tashmë kanë marrë kërkesa nga disa vende të Lindjes së Mesme. Ukraina ka zhvilluar këtë teknologji gjatë viteve të fundit, duke u përballur vazhdimisht me sulmet e dronëve rusë, veçanërisht me dronët e lirë Shahed të prodhuar nga Irani.
Qindra dronë rusë lëshohen shpesh drejt Ukrainës brenda një nate të vetme, duke nxitur një garë të vazhdueshme inovacioni mes ushtrisë dhe kompanive private ukrainase për të zhvilluar sisteme mbrojtëse më të avancuara.
Sipas burimeve nga industria, dronët interceptues ukrainas kushtojnë disa mijëra dollarë secili, megjithëse jo gjithmonë arrijnë të neutralizojnë objektivin, pasi Rusia vazhdimisht po zhvillon taktika të reja për t’i shmangur ato./rtk
Turqit arrijnë në Kosovë, në pritje u del presidenti i FFK-s...
Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesa e Albulena Haxhiu pë...
Kërkesa e Presidentes për anëtarët e KQZ-së, Kushtetuesja e ...
Kosova U19 e mposht Turqinë U19
KMDLNJ: Pensionistët e Kosovës janë lënë në harresë nga Qeve...
KB Peja ndahet me trajnerin Damir Milacic