Sulmet izraelite, OKB: Më shumë se 250 mijë persona u zhvendosën nga qyteti i Gazës gjatë muajit gusht

07:34 | 19 Shtator 2025
E.K

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë me dije se më shumë se 250 mijë persona janë zhvendosur nga qyteti i Gazës gjatë muajit që lamë pas.

Një zyrtar i OKB deklaroi se të tjera zhvendosje janë në proces, teksa vetëm 60 mijë persona u larguan nga Gaza gjatë kësaj jave si pasojë e sulmeve izraelite.

Më herët këtë javë, një komision hetimor i OKB-së akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës , duke thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë, nxitën krimin. Izraeli i hodhi poshtë gjetjet si “të shtrembëruara dhe të rreme”.

Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se numri i përgjithshëm pas urdhrave izraelitë për të evakuuar qytetin e Gazës është shumë më i lartë.

Forcat izraelite tashmë kontrollojnë periferitë lindore të qytetit të Gazës. Gjatë ditëve të fundit, forcat izraelite janë zhvendosur në zonat Sheikh Radëan dhe Tel al-Haëa, nga ku do të pozicionohen për të përparuar në rrethet qendrore dhe perëndimore ku ndodhet streha e shumicës së popullsisë së mbetur.

Pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës janë shndërruar në rrënoja të pabanueshme. Deri para disa javësh, aty jetonin më shumë se një milion njerëz, shumë prej të cilëve ishin zhvendosur disa herë.

Mbrëmjen e së enjtes (18 shtator) ushtria izraelite pretendoi se katër ushtarë të saj ishin vrarë nga një bombë buzë rrugës në Rafah, në jug të Gazës.

Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, hodhi poshtë këshillën e gjeneralëve më të lartë dhe zyrtarëve të inteligjencës së Izraelit për të mos nisur ofensivën e re.

Të paktën 79 palestinezë u vranë nga sulmet ose të shtënat izraelite në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit, kryesisht në Qytetin e Gazës, tha të enjten ministria e shëndetësisë e territorit.

Lufta u shkaktua nga një sulm i Hamasit në Izrael në tetor 2023, në të cilin militantët vranë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë.

Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 65,000 njerëz, kryesisht civilë, dhe ka plagosur më shumë se 160,000 të tjerë.