Spanja tërheq përgjithmonë ambasadorin nga Izraeli, thellohet kriza diplomatike mes dy vendeve

19:35 | 11 Mars 2026
E.G

Spanja ka vendosur të tërheqë përfundimisht ambasadorin e saj nga Izraeli, duke thelluar përplasjen diplomatike mes dy vendeve.

Vendimi vjen pas një serie tensionesh që janë përkeqësuar ndjeshëm që nga lufta në Gaza dhe përplasjet politike mes Madridit dhe Tel Avivit.

Ambasadori spanjoll ishte thirrur në Madrid që në shtatorin e vitit të kaluar, pas një debati diplomatik lidhur me vendimin e Spanjës për të ndaluar përdorimin e porteve dhe hapësirës së saj ajrore për avionë dhe anije që transportojnë armë drejt Izraelit për shkak të luftës në Gaza.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar e kishte kritikuar këtë politikë duke e cilësuar atë si antisemitike.

Vendimi për ta bërë të përhershme tërheqjen e ambasadores konsiderohet përshkallëzimi i fundit në një konflikt diplomatik që është thelluar që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ofensiva izraelite në Gaza, raporton Reuters.

Nga ana tjetër, edhe ambasada e Izraelit në Spanjë aktualisht drejtohet nga një i ngarkuar me punë, pasi Izraeli kishte tërhequr ambasadorin e tij nga Madridi në maj të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Spanjës për të njohur shtetin palestinez.

Tensionet janë rritur më tej edhe në javët e fundit, sidomos pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, kur Saar akuzoi Spanjën se po mban qëndrim kundër luftës dhe po “mbështet tiranët”.

Shpërndaje në rrjete sociale