Ministria e Punëve të Brendshme në Berlin ka bërë të ditur se vitin e kaluar në Gjermani është rritur numri i sulmeve ndaj strehimoreve të azilit. Shumica e veprave penale kanë motive raciste.
Vitin e kaluar në Gjermani është rritur numri i sulmeve ndaj strehimoreve të azilit. Në vitin 2022 ka pasur 221 sulme kundër strehimoreve të azilantëve, sulme fizike si edhe dëmtime materiale. Një rritje kjo 73% krahasuar me një vit më parë. Këto janë të dhëna paraprake të Ministrisë së Punëve të Brendshme në përgjigjen ndaj kërkesës së grupit parlamentar E Majta, të cilat i ka publikuar gazeta gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung”. Megjithë rritjen e ndjeshme të sulmeve ndaj stehimoreve të azilit, shifrat janë më të ulta se në vitin e krizës së refugjatëve, 2015. Atë vit u regjistruan 1047 sulme ndaj qendrave ku jetonin refugjatët.
Autoritetet kanë regjistruar gjithashtu edhe 1248 sulme ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve jashtë strehimoreve të azilkërkuesve, pak a shumë sa vitin e kaluar, ku ishin denoncuar 1259 raste. Sipas statistikës çdo ditë sulmohen në Gjermani tre azilkërkues. Shumica e veprave kryhen nga ekstremistë të djathtë.
E Majta e alarmuar
Ky është viti i parë që nga viti i krizës 2015, ku është shënuar një rritje e sulmeve kundër azilkërkuesve. Si arsye për këtë konsiderohen heqja e masave kundër Coronës si edhe numri i lartë i ardhjes së refugjatëve. Vitin e kaluar në Gjermani shkuan dukshëm më shumë refugjatë edhe për shkak të luftës në Ukrainë. Në vitn 2022 erdhën 218.000 azilkërkues, aq sa në vitin 2016. Këtyre u shtohen afër 1 milionë ukrainas që erdhën pas agresionit rus kundër Ukrainës.
Ekspertja për refugjatët e grupit parlamentar E Majta, Clara Bünger u shpreh mjaft e shqetësuar pas bërjes publike të shifrave. “Refugjatët që kërkojnë siguri dhe mbrojtje këtu, ndeshen me frikën dhe pasigurinë”, tha ajo për gazetën gjermane. Bünger kujtoi trazirat e dhunshme kundër një strehimoreje të azilit në vitin 1992 në Rostock-Lichterhagen, të cilat zgjatën katër ditë duke pyetur: “Duam ne të presim derisa të përsëritet Rostock-Lichterhagen?”/DW
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen