Shpërthimi në hekurudhën Poloni-Ukrainë, Tusk: Sabotim i pashembullt

22:52 | 17 Nëntor 2025
E.G

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se një shpërthim në një linjë hekurudhore që çon drejt kufirit me Ukrainën këtë fundjavë ishte shkaktuar nga “një akt sabotimi i pashembullt”, dhe premtoi se do të kapë përgjegjësit “pa marrë parasysh se kush janë mbështetësit e tyre”.

Duke vizituar vendin e ngjarjes mëngjesin e sotëm, Donald Tusk, tha se dëmtimi i shtratit të hekurudhës të dielën ishte i qëllimshëm dhe me shumë mundësi kishte për qëllim shpërthimin e trenit. Ai shprehu lehtësim që nuk pati të lënduar.

Më vonë, në Varshavë, pas një mbledhjeje emergjente të zyrtarëve të sigurisë, ministri i Shërbimeve Speciale të Polonisë tha se ekziston “një mundësi shumë e lartë që shpërthimi të ishte kryer me urdhër të shërbimeve të huaja”, raporton BBCNews.

Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt Rusinë, por Polonia ka përjetuar një seri sulmesh të mëdha me zjarrvënie dhe sabotim në vitet e fundit, përfshirë shpërthime paketa, që konsiderohen si pjesë e luftës hibride të Moskës ndaj Perëndimit.

Ngjarja ndodhi në shtratin hekurudhor midis Varshavës dhe Lublinit në jug-lindje, dhe Tusk vuri në dukje se kjo rrugë ishte “jashtëzakonisht e rëndësishme për dërgimin e ndihmave për Ukrainën”.

Rrjeti hekurudhor i Polonisë është pjesë kritike e linjave ushtarake për fqinjën e saj, si dhe një rrugë për lëvizjen e civilëve brenda dhe jashtë vendit.

Hetuesit po shqyrtojnë një incident të dytë që ndodhi më tej në të njëjtën linjë të dielën, ku një tren i mbushur u detyrua të ndalojë papritur. Mendohet se është “shumë e mundshme” që të jetë një tjetër rast sabotimi, megjithëse jo një shpërthim.

“Këto ngjarje tregojnë se personat pas saj kanë vendosur të fillojnë një fazë të re kërcënimi ndaj infrastrukturës hekurudhore,” tha ministri i shërbimeve speciale, Tomasz Siemoniak.

Të ngjashme