Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka mbërritur sot në qytetin ukrainas të Lvivit për një takim trepalësh me presidentët e Ukrainës dhe Türkiye-s për të mbikëqyrur marrëveshjen e ndërmjetësuar së fundmi për zhbllokimin e eksportit të drithërave, njoftoi zëdhënësi i tij në Twitter, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vizita synon rritjen e aktiviteteve të mekanizmit të krijuar për eksportin e drithit ukrainas në tregjet botërore, në përpjekje për të mënjanuar paqëndrueshmërinë globale ushqimore.
Guterres do të takohet të enjten me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Ai është planifikuar gjithashtu të vizitojë qytetin limanor Odesa për të vëzhguar lëvizjen drithërave.
Pas takimit trepalësh në Lviv, Guterres do të vizitojë Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Istanbul, e formuar si pjesë e marrëveshjes historike, për të kryer inspektime më 20 gusht.
Ndërkohë, Drejtoria e Komunikimeve e Türkiye-s tha në një deklaratë se liderët gjatë takimit do të diskutojnë gjithashtu hapat e mundshëm për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë përmes mjeteve diplomatike.
Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase të Detit të Zi për eksportimin e drithit ukrainas të bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila tani është në muajin e saj të gjashtë.
Për të mbikëqyrur procesin, Qendra e Përbashkët e Koordinimit në Istanbul u hap zyrtarisht më 27 korrik, e përbërë nga përfaqësues nga të tre vendet dhe OKB-ja, për të mundësuar transportin e sigurt të mallrave ushqimore dhe plehrave tregtare nga anijet tregtare.
Që nga nisja e parë më 1 gusht, gjithsej 25 anije që transportonin drithëra janë larguar nga portet e Ukrainës sipas marrëveshjes.
Parashikimi i motit për të enjten
Kosovari shpëton 71-vjeçarin nga lumi Aare në Zvicër, në mom...
Nagavci për LDK-në: Nuk i kanë nxjerrë nënshkrimet për Osman...
Tjetër ultimatum nga Trump: Irani, një javë kohë për të arri...
50 mijë euro gjoba për mjedis, në 5 muajt e parë të këtij vi...
Kurti dhe Basha nesër marrin pjesë në nisjen e punimeve për ...