Një stuhi dimërore masive godet mbi gjysmën e Shteteve të Bashkuara, duke lëvizur drejt lindjes dhe sjellë reshje të dendura bore, akumulim të rrezikshëm akulli e temperatura ekstreme. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, rreth 180 milion njerëz janë nën paralajmërime për mot të ashpër dimëror deri të hënën.
Sistemi i stuhisë shtrihet në mbi 2 mijë milje, nga Teksasi në Nju Ingllënd. Në zonat nga Oklahoma në Masaçusets, parashikohen deri në 30 centimetra borë. Ndërkohë, në jug, përfshirë Teksasin, dy Karolinat dhe Virxhinian, priten shi dhe akull.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë për akumulime katastrofike akulli, që mund të rrëzojnë pemë dhe linja të energjisë elektrike. Qindra mijëra banorë rrezikojnë të mbeten pa energji elektrike për ditë të tëra, ndërsa kushtet e udhëtimit duken jashtëzakonisht të rrezikshme, deri në të pamundura.
Erërat e forta do të sjellin temperatura ekstreme, me ndjesi të ftohti deri në -46 gradë Celsius në rrafshnaltat veriore dhe qendrore. Më shumë se dy të tretat e popullsisë amerikane do të përjetojnë erëra të ftohta nën zero gjatë javës së ardhshme.
Deri tani, më shumë se një duzinë shtetesh kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Zyrtarët u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, të furnizohen me ushqime, ilaçe dhe mjete të domosdoshme për katër deri në pesë ditë.
Ndikimi i stuhisë ka filluar tashmë të ndjehet në transport. Mbi 4 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa linjat ajrore, transporti publik dhe shkollat në shumë shtete kanë njoftuar mbyllje e pezullime aktivitetesh.
Stuhia pritet të përhapet drejt Bregut Lindor, duke arritur qytete të mëdha si Nju Jorku dhe Uashingtoni deri të dielën. Përzierja e rrezikshme e borës së madhe, akullit dhe të ftohtit ekstrem mund të dëmtojë rrjetin kombëtar të energjisë dhe të lërë miliona amerikanë të izoluar në shtëpitë e tyre.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, deklaroi se asnjë pjesë e shtetit nuk do të ishte “imune ndaj zemërimit të Nënës Natyrë”.
Përfundon takimi trepalësh SHBA, Rusi dhe Ukrainë në Abu Dha...
Me pranga dhe kokë ulur, të dyshuarit për manipulim me vota ...
Kërkohet paraburgim ndaj 11 të ndaluarve për manipulim votas...
Policia gjen armë, municion dhe granata dore në një shtëpi t...
SHBA, temperatura deri në -46 gradë/Gjendje e jashtëzakonshm...
Rama: Nis puna për rritjen e kapaciteteve të Shërbimit Onkol...