Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të enjten sanksione ndaj tre subjekteve ruse dhe një individi të përfshirë në transferimin dhe provat me raketa balistike të Koresë së Veriut për përdorimin e tyre nga Rusia kundër Ukrainës, tha të enjten Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Kjo masë vjen dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre dënuan transferimet e armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë përdorimin nga ana e Rusisë të raketave balistike të Koresë së Veriut kundër Ukrainës më 30 dhjetor dhe 2 janar. Moska dhe Pheniani kanë forcuar lidhjet që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, megjithëse kanë mohuar të kenë bërë ndonjë marrëveshje për armët.
“Ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme,” tha zoti Blinken në një deklaratë. “Transferimi i raketave balistike nga Koreja e Veriut në Rusi mbështet agresionin e Rusisë, rëndon vuajtjet e popullit ukrainas dhe minon normat globale”, shtoi zoti Blinken.
Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë tha se Rusia kishte përdorur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut për të kryer sulme të shumta kundër Ukrainës, duke cituar burime zbulimi. Një zyrtar i lartë ukrainas e vërtetoi më vonë këtë njoftim.
Koreja e Veriut ka qenë nën një embargo armësh nga Kombet e Bashkuara që kur testoi për herë të parë një bombë bërthamore në vitin 2006. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuara me mbështetjen ruse, ndalojnë vendet të tregtojnë armë ose pajisje të tjera ushtarake me Korenë e Veriut./voa
Ramos konfirmoi largimin e tij nga Monterrey, do të jetë loj...
Komandanti i KFOR-it pret në takim Kurtin, shprehu përkushti...
Nuk kanë të ndalur telashet në mbrojtje për Arsenalit, ylli ...
Aksident mes dy veturave në rrugën Prishtinë-Pejë, lëndohen ...
Bizneset turke shprehin interes për bashkëpunim me Kosovën
Refuzohet ankesa e LVV-së për qendrat e votimit jashtë Kosov...