Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar një fond prej 200 milionë dollarëve si asistencë sigurie për shtetet e Baltikut, teksa intensifikohet aktiviteti rus në krahun lindor të NATO-s.
Fondet, që janë miratuar këtë javë në kuadër të shpenzimeve për vitin fiskal 2026, garantojnë fonde për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nën Iniciativën për Siguri të Baltikut.
Paketa prej 838.7 milionë dollarëve, e nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 3 shkurt, parasheh rritje të bashkëpunimit me tri shtetet baltike, pavarësisht përpjekjeve të kaluara të Pentagonit për t’i eliminuar ato.
Rreth 10 milionë dollarë shtesë i janë ndarë Estonisë nga programin për financim të ushtrive të huaja, fonde të cilat Tallini i ka përdorur më parë për të blerë pajisje HIMARS, raketa Javelin dhe predha artilerie të kalibrit të madh.
“Ky është parandalim shumë i mirë për aleatët tanë të Baltikut”, ka thënë kongresisti Don Bacon në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se kjo çështje është kthyer në prioritet pasi Departamenti amerikan i Mbrojtjes* ka dhënë sinjale për ndalje të fondeve për programin.
“Kongresi është i përkushtuar për aleancë të fuqishme të NATO-s dhe ne e dimë që duhet vëmendje më e madhe sa i përket Baltikut”, ka thënë ai, duke shtuar se historia është dëshmi për rrezikun që kanoset nga braktisja e angazhimeve globale.
“Shumica në Kongres janë të përkushtuar për NATO-n dhe ne e dimë që kemi nevojë për miq për ta luftuar Kinën, Rusinë dhe Iranin. Nuk mund ta bëjmë vetë. Amerika vetëm është një Amerikë e dobësuar”, ka thënë Bacon.
Tri shtetet baltike, të gjitha anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të Ukrainës, kanë parë shkelje të hapësirave të tyre territoriale nga aeroplanët dhe dronët rusë në muajt e fundit.
Bacon ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që shpejt po hyn në vitin e pestë, është kërcënim përtej kufijve të Ukrainës. Ai ka thënë se mënyra se si përfundon konflikti, më i përgjakshmi në Evropë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të formësojë ambientin e sigurisë për shtetet baltike dhe fqinjët tjerë më të brishtë.
“Nëse Ukraina humb, atëherë duhet ta dimë që Moldavia do të jetë e radhës”, ka thënë ai.
“Ne nuk duhet të jemi neutralë. Ne duhet të qëndrojmë në anën e lirisë dhe kundër një banditi diktator”.
Për shtetet baltike, miratimi i fondeve shkon përtej vendimeve buxhetore.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 4 shkurt se vendimi vërteton se ky rajon përbën linjën e frontit të NATO-s.
Budrys i ka përmendur edhe rreziqet tjera që i kanosen rajonit, përfshirë operacionet hibride ruse dhe bjelloruse.
Kristen Taylor, nga Iniciativa për Siguri Transatlantike në Këshillin Atlantik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se legjislacioni është miratuar në kohën e urgjencës në rritje, për shkak të aktivitetit rus.
Sipas saj, ky financim është miratuar për t’i rritur kapacitetet ushtarake për aleatët e Baltikut./rel
Sejdiu pret në takim Oravin, njofton përfundimin e mandatit ...
Ishte i dënuar për një vrasje në 1999, kosovari arrestohet s...
Ronaldo 41 vjeç, rekordet e pabesueshme të CR7
Kancelari gjerman mbërrin në Katar, ndalesa e dytë e turneut...
Kur pritet të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve ...
Mbi 6 mijë policë do të garantojnë Lojërat Olimpike Dimërore