Sërish alarm në Danimarkë, dronë misteriozë mbi aeroportin e Aalborgut

08:49 | 25 Shtator 2025
E.H

Një alarm i ri për dronë ka tronditur Danimarkën mbrëmjen e së mërkurës, kur rreth orës 22:00 u mbyll hapësira ajrore mbi aeroportin e Aalborgut.

Dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar mbi zonën e aeroportit, duke detyruar autoritetet të ndërpresin operacionet për afro tre orë.

Sipas policisë, dronët kanë fluturuar mbi disa aeroporte në të gjithë vendin, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të njërit prej tyre.

Dronët u vunë re edhe në aeroportet, Esbjerg, Sonderborg dhe në bazën ajrore Skrydstrup, tha policia.

“Nuk ishte e mundur të rrëzoheshin dronët, të cilët fluturonin mbi një zonë shumë të madhe për disa orë“, tha kryeinspektori i policisë së Jutlandit të Veriut, Jesper Bojgaard Madsen, në lidhje me incidentin në Aalborg.

“Në këtë kohë, nuk i kemi kapur as operatorët e dronëve“, shtoi ai në një deklaratë.

Sulmi me dron preku forcat e armatosura daneze dhe u kategorizua si “sulmi më serioz deri më tani ndaj infrastrukturës së Danimarkës” nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Policia e Jutlandit Jugor tha se kishte “marrë disa raportime për aktivitetin e dronëve në aeroportet në Esbjerg, Sonderborg dhe Skrydstrup”, të mërkurën vonë në mbrëmje.

Policia atje tha se dronët “fluturuan me drita dhe u vëzhguan nga toka, por ende nuk është sqaruar se çfarë lloj dronësh janë… ose cili është motivi”.

Incidentet e fundit në qiellin danez vijnë pas ngjarjeve të ngjashme në Poloni dhe Rumani dhe shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët luftarakë rusë, të cilat kanë rritur tensionet në dritën e pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia.

Incidenti vjen pas një ngjarjeje të ngjashme në aeroportin e Kopenhagenit, i cili gjithashtu u mbyll këtë javë për shkak të fluturimeve të paautorizuara me dronë./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale