Rusia nis sulm masiv ndaj Kievit, 11 të plagosur, dëme të mëdha në infrastrukturë

08:06 | 14 Nëntor 2025
E.K

Rusia ndërmori një sulm të fuqishëm ndaj kryeqytetit ukrainas mëngjesin e kësaj të premte, duke shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha infrastrukturore. Lajmi është bërë me dije nga kryebashkiaku Vitali Klitschko. Sipas tij, të paktën 11 persona u plagosën, ndërsa pesë prej tyre u dërguan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Shpërthime të shumta u dëgjuan në të gjithë qytetin, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të ndalur valën e dronëve dhe raketave. Autoritetet paralajmëruan banorët të qëndrojnë në strehimore derisa të hiqet alarmi për sulmin ajror, duke sinjalizuar se ndërprerjet e mundshme të ujit dhe energjisë elektrike mund të preknin disa zona.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, deklaroi në Telegram se “rusët po godasin ndërtesa banimi” dhe se dëme të shumta janë raportuar pothuajse në çdo lagje të qytetit.

Sipas tij, sulmi përfshiu si dronë ashtu edhe raketa, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në shumë prej zonave të prekura.

Dëme u regjistruan edhe në rajonin e Kievit, ku sulmet ruse prekën infrastrukturën kritike dhe disa shtëpi private. Kreu rajonal Mykola Kalashnyk raportoi se një burrë 55-vjeçar në Bila Tserkva pësoi djegie të rënda dhe u shtrua në spital, ndërsa zjarre shpërthyen në disa banesa në periferi.

Sulmet ndodhën teksa zyrtarët e Bashkimit Evropian rikujtuan nevojën për reforma të mëtejshme kundër korrupsionit në Ukrainë, pas një skandali të gjerë që përfshiu zyrtarë të lartë të energjisë bërthamore. Megjithatë, BE-ja siguroi se mbështetja për Kievin do të vazhdojë, ndërsa vendi vijon përpjekjet për t’i bërë ballë agresionit rus.

Të ngjashme