Është anuluar vizita e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Serbi, pasi shtetet fqinje kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin e tij, ka thënë një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme ruse për agjencinë e lajmeve Interfax, transmeton Reuters.
Ky burim ka konfirmuar raportimet e mediave në Serbi, të cilat kanë thënë se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin që do të bartte kryediplomatin rus në Beograd të hënën.
“Diplomacia jonë duhet të avancojë teleportimin”, është cituar të ketë thënë ky burim.
Ministria e Jashtme ruse nuk ka komentuar ende këtë raportim.
Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.
Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse./rel/
Avokati kryesor i Rexhep Selimit: Duhet të shpallet i pafajs...
Komisioni për Buxhet miraton buxhetin e vitit 2026, radha te...
Aksion i madh në Çarshinë e Gjatë në Pejë, cak argjendaritë
Mbrojtja e Selimit: Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kë...
Mblidhet Komisioni për Integrime, shqyrton marrëveshjet ndër...
Reforma e inspektimeve/ Rama: Do të ketë certifikim, trajnim...