Irani i ka kërkuar Qipros t’i përcjellë “disa mesazhe” për Izraelin, tha të dielën presidenti qipriot, Nikos Christodoulides.
Zyra e tij bëri të ditur se Christodoulides bisedoi të dielën me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe gjithashtu ka zhvilluar biseda me udhëheqësit e Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Greqisë.
Christodoulides nuk sqaroi se nga kush saktësisht vinin mesazhet apo çfarë përmbanin ato.
Paraprakisht, ministri i Jashtëm qipriot dhe homologu i tij iranian, zhvilluan një bisedë të premten në mbrëmje.
Christodoulides tha gjithashtu se është i pakënaqur me reagimin, siç e përshkroi ai, të ngadaltë të Bashkimit Evropian ndaj krizës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.
Qiproja, si shteti anëtar i BE-së që ndodhet më së afërmi Lindjes së Mesme, kishte kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, tha ai.
Raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit ishin të dukshme nga vende të ndryshme të Qipros të premten dhe të shtunën në mbrëmje.
“Nuk është e mundur që BE-ja të pretendojë rol gjeopolitik, t’i shohë të gjitha këto zhvillime dhe të mos ketë të paktën një mbledhje të Këshillit të Ministrave të Jashtëm”, tha Christodoulides për gazetarët.
Qiproja ka ofruar ndihmë për evakuimin e shtetasve të palëve të treta nga rajoni dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprime që mund të përshkallëzojnë konfliktin./rel
Kosova voton nesër, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vo...
Osmani nderon ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowas, të rënë ...
Parashikimi i motit për nesër, temperaturat shkojnë deri në ...
Aston Villa përmbys Chelsea
Aksident në aksin Qafë Plloçë – Pogradec, makina përplas një...
Ligj i ri në New York – paralajmërime për përdorimin e...