Qeveria ushtarake shtyp protestuesit kundër puçit në Birmani, dy të vdekur

15:36 | 20 Shkurt 2021

Së paku dy persona kanë vdekur gjatë protestave të reja kundër puçit ushtarak në Birmani.

Policia përdori municion të vërtetë për t’i shpërndarë protestuesit në Mandalay, raportuan mediet lokale dhe stafi shëndetësor.

Qindra persona ishin mbledhur në qytetin e dytë më të madh të vendit, kur policia filloi të reagonte. Disa persona u lënduan dhe dyshohet se lëndimet u janë shkaktuar nga plumbat e vërtetë dhe plumbat e gomës.

Birmania u përfshi nga protestat pasi ushtria e rrëzoi me grusht shteti qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të zonjës Aung San Suu Kyi, transmeton Gazeta Express.

Protestuesit po kërkojnë që ajo të lirohet, bashkë me pjesëtarët tjerë të partisë së saj. Kyi ndodhet në arrest shtëpiak dhe po akuzohet për shkeljen e Ligjit për Fatkeqësitë Natyrore. Ushtria po pretendon se fitorja e partisë së parë në zgjedhjet e vitit të kaluar është arritur me manipulime, ndonëse për këtë nuk janë ofruar dëshmi.

Dhuna në qytetin Mandalay ndodhi vetëm një ditë pas vdekjes së parë të konfirmuar në protestat kundër qeverisë ushtarake.

Një grua e re, e quajtur Mya Thwe Khaing, u qëllua në kokë, ndonëse policia ka mohuar se ka përdorur forcë vdekjeprurëse gjatë shpërndarjes së protestuesve.

Lajmet më të lexuara