Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka arritur në Nju Jork të SHBA-së, mes kritikave nga Kina, e cila e ka paralajmëruar SHBA-në për pasoja serioze.
Tsai kaloi nëpër SHBA gjatë udhëtimit të saj për në Amerikën Qendrore. Transmetuesi publik britanik BBC raporton se ajo mund të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy, në udhëtimin e kthimit.
Kina ka dënuar çfarëdo takimi të tillë dhe thotë se nëse ai takim realizohet, mund të çojë në një “konfrontim serioz”.
Në përgjigje, SHBA-ja ka thënë se Pekini nuk duhet të reagojë në masë të tepërt ndaj udhëtimit të presidentes Tsai.
SHBA-ja shpreson të ketë një “transit normal dhe pa trazira”, tha të mërkurën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke vënë në dukje se ky është udhëtimi i shtatë i presidentes Tsai përmes SHBA-së gjatë kohës së saj si udhëheqëse e Tajvanit.
“Kjo është një dukuri e zakonshme… Presidentët e tjerë të Tajvanit kanë kaluar transit në SHBA. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Kjo do të jetë hera e 29-të që një president i Tajvanit – që nga presidenti i parë më 1994 – kalon transit nëpër SHBA.
Tsai arriti në Nju Jork të mërkurën, ku u përshëndet nga turma të protestuesve dhe përkrahësve jashtë hotelit të saj.
Ajo do të udhëtojë për në Guatemalë dhe Belize këtë javë, në një vizitë ku synohet përforcimi i aleancave me vendet e Amerikës Qendrore, përpara se të kthehet në Tajvan përmes Los Anxhelosit, ku mund të zhvillohet një takim me liderin e lartë politik amerikan, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Pas arritjes së saj në SHBA, i dërguari i lartë i Kinës në Uashington akuzoi SHBA-në se po avokonte për pavarësinë e Tajvanit duke lejuar Tsai-n të “bënte bujë” në SHBA.
“Pavarësisht nëse janë udhëheqësit e Tajvanit ata që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo liderët e SHBA-së që vizitojnë Tajvanin, [këto vizita] mund të çojnë në një tjetër konfrontim tejet serioz në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha Xu Xueyuan, një diplomate e Kinës në një konferencë për shtyp.
Duke lejuar kalimin e Tsai-t në SHBA, Uashingtoni “minon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, tha Xu.
“Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të mos luaj sërish me zjarr për çështjen e Tajvanit”, shtoi ajo.
Tsai planifikohet të kthehet në Taipei më 7 prill.
Tajvani e konsideron veten shtet sovran, ndërsa Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur që duhet t’i ribashkohet Kinës. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për ta arritur këtë qëllim./rel/
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen