Popullsia e Gjermanisë drejt tkurrjes me 5 për qind deri në vitin 2050

23:00 | 17 Shkurt 2026
E.H

Popullsia e Gjermanisë pritet të tkurret me afro 5% deri në vitin 2050, një rënie dukshëm më e thellë sesa parashikimet e mëparshme.

Gjermania do të humbasë më shumë se 4 milionë banorë gjatë dekadave të ardhshme, duke zbritur në rreth 79 milionë banorë deri në mesin e shekullit, niveli më i ulët që nga fillimi i viteve ’90, raporton Financial Times.

Instituti Ifo, që dhe ka kryer studimin, kishte projektuar më herët një rënie prej vetëm 1% deri në vitin 2050. Megjithatë, bazuar në të dhënat e reja të zyrës federale të statistikave, parashikimi është rishikuar në afro 5%.

Ekonomisti i Ifo, Joachim Ragnitz, paralajmëron se ndryshimi demografik do të ketë ndikim të thellë në të gjitha fushat e ekonomisë dhe shoqërisë.

Tregu i punës dhe sistemi i pensioneve nën presion

Rënia demografike pritet të ushtrojë presion të fortë mbi tregun e punës.

Numri i personave të moshës 20–66 vjeç parashikohet të bjerë me rreth 12%, ndërsa numri i pensionistëve do të rritet me mbi 20 për qind.

Kjo do të rëndojë ndjeshëm sistemin e pensioneve me financim të drejtpërdrejtë (pay-as-you-go), i cili tashmë mbështetet nga rreth një e katërta e buxhetit federal. Zyra Federale e Auditimit ka paralajmëruar se kjo peshë buxhetore do të rritet më tej në vitet në vijim.

Migracioni dhe lindshmëria më të ulëta se pritshmëritë

Një nga arsyet kryesore të rishikimit negativ është korrigjimi i të dhënave mbi popullsinë aktuale.

Zyra e statistikave tani vlerëson se Gjermania do të ketë 83 milionë banorë në vitin 2025, krahasuar me 85 milionë që ishte parashikuar më parë.

Po ashtu, fluksi i migracionit neto është ulur ndjeshëm.

Në vitin 2025, Gjermania tërhoqi 225 mijë migrantë neto, krahasuar me 454 mijë në vlerësimin e mëparshëm. Në dekadat e ardhshme, hyrja neto e migrantëve pritet të stabilizohet në rreth 250 mijë në vit, një nivel më i ulët se projeksionet e hershme, veçanërisht pas shtrëngimit të politikave të migracionit.

Edhe lindshmëria është rishikuar në ulje. Të dhënat e reja tregojnë se në vitin 2030 do të ketë rreth 150 mijë lindje më pak sesa ishte parashikuar më herët.

Rajonet lindore më të goditura

Sipas raportit të Ifo, rajonet e Gjermanisë Lindore do të përballen me tkurrjen më të thellë të popullsisë, ndërsa qendrat e mëdha urbane në pjesën perëndimore do ta ndiejnë më pak efektin e rënies.

Ekspertët theksojnë se politikanët duhet të marrin urgjentisht në konsideratë përshpejtimin e plakjes së popullsisë, sidomos në sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit afatgjatë.

Rënia demografike pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Gjermanisë, e cila projektohet të mbetet në një nivel modest prej rreth 0.4% në afat të gjatë.

Shpërndaje në rrjete sociale