Oregon padit Trumpin për dërgimin e trupave ushtarake në Portland

08:48 | 29 Shtator 2025
E.G

Shteti i Oregonit ka ngritur një padi kundër Presidentit Donald Trump, Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, duke kundërshtuar vendimin për dërgimin e trupave ushtarake në Portland.

Padia, e paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield, e akuzon administratën për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit. Sipas padisë, protestat në Portland kundër agjencisë së Imigracionit (ICE) kanë qenë të vogla dhe paqësore, ndërsa vendimi për të dërguar 200 trupa të Gardës Kombëtare konsiderohet i pajustifikuar.

Rayfield tha se “dërgimi i 200 ushtarëve për një ndërtesë të vetme nuk është normal”.

“Duke cituar vetëm një pretekst të pabazë dhe tepër hiperbolik – Presidenti thotë se Portlandi është një qytet i shkatërruar nga lufta, nën rrethim nga “terroristët vendas”. Të pandehurit kështu kanë shkelur fuqinë sovrane të Oregonit për të menaxhuar aktivitetin e vet të zbatimit të ligjit dhe burimet e Gardës Kombëtare”, thuhet në padi.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi një ditë më parë vendosjen nën kontroll federal të 200 trupave të Gardës Kombëtare të Oregonit, pas urdhrit të Presidentit Donald Trump për dërgimin e forcave ushtarake në Portland.

Trump deklaroi se trupat do të mbrojnë objektet federale nga “terroristë vendas” dhe se janë të autorizuar për të përdorur forcë, nëse do të lindte nevoja.

Të dhënat e fundit tregojnë se krimi i dhunshëm në Portland ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, ndërsa vrasjet ranë me 51% krahasuar me vitin e kaluar./rtsh.al/