Nisin negociatat për një marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së dhe Malit të Zi

14:12 | 10 Dhjetor 2025
E.G

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi po nisin negociatat për arritjen e një marrëveshje dypalëshe që ka për qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor.

Negociatat do të zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025.

“SHBA-ja njihet globalisht për inovacionin dhe besueshmërinë ekonomike, ndërsa kompanitë amerikane po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për mundësitë e biznesit në ekonominë në rritje të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Sipas saj, qëllimi i këtyre negociatave është të nxisin investime më të mëdha të sektorit privat amerikan për të krijuar vende të reja pune në SHBA dhe në Mal të Zi, të forcojnë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapin mundësi të reja për prosperitetin e SHBA-së, Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë.

Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërshtetërore, me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të gjitha këto kanë karakter ndërshtetëror që lejon përzgjedhjen e kontraktorëve pa tenderë publikë.

Marko Soshiq nga Instituti Alternativa, më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky ritëm i nënshkrimit të marrëveshjeve është rezultat i detyrimit të Qeverisë që të gjithë marrëveshjet ndërshtetërore të Malit të Zi, nga 26 dhjetori, duhet të harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian në fushën e prokurimit publik.

Kjo është një pikë nga agjenda e reformave në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi me BE-në.

Marrëveshjet me Emiratet kanë të bëjnë me turizmin, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe teknologjitë digjitale. Marrëveshja me Hungarinë fokusohet tek infrastruktura e transportit, digjitale dhe teknologjisë informative. Ndërsa ajo me Francën është një kombinim i projekteve infrastrukturore, energjetike dhe digjitale.

Qeveria e Malit të Zi thotë se bëhet fjalë për partneritete strategjike për “zhvillim më të shpejtë dhe tërheqje investimesh” që duhet të ulin burokracinë dhe të rrisin efikasitetin.

Ligji malazez për prokurimet publike lejon zgjedhjen e partnerëve të biznesit pa tender.

“Këto rregulla nuk zbatohen për prokurimet publike që realizohen në përputhje me rregullat e posaçme të një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Malit të Zi dhe një ose më shumë shteteve anëtare të BE-së, ose vendeve të treta”, që lidhet me projekte të interesit të përbashkët.

Parashihet gjithashtu që Qeveria malazeze të njoftojë Komisionin Evropian për çdo marrëveshje të tillë ndërkombëtare.

Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se kështu minohet sistemi i prokurimeve publike, që është një nga shtyllat e kontrollit të korrupsionit.

Marko Soshiq nga Instituti Alternativa tha për REL-in në nëntor se këto lloje të marrëveshjeve ndërshtetërore bartin rreziqe të mëdha, pikërisht për shkak të përjashtimit të legjislacionit kombëtar.

Ai vlerësoi se Qeveria kërkon me to rrugë të shkurtra drejt investimeve, pasi zbatimi i buxhetit kapital apo propozimi i projekteve për financim nga BE-ja janë të ndërlikuara dhe të vështira.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian të nëntorit të këtij viti, përmendet vetëm marrëveshja e parë që Mali i Zi nënshkroi me Emiratet.

Aty paralajmërohet se Mali i Zi duhet të sigurojë që zbatimi i kësaj dhe marrëveshjeve të ngjashme të mos jetë në kundërshtim me ligjet e BE-së për prokurimet publike.

Në raport u tha po ashtu se mënyra se si do të interpretohet, zbatohet dhe realizohet marrëveshja do të jetë nën vëzhgim të kujdesshëm të BE-së./rel