Nga Irani në Ukrainë, si po e ndryshojnë luftën moderne dronët kamikazë

17:54 | 5 Mars 2026
Q L

Dronët kamikazë po shndërrohen në një nga armët më të rëndësishme të konflikteve moderne. Mes tyre, modeli iranian Shahed është bërë simbol i asaj që ekspertët e quajnë tashmë luftë hibride, duke ndikuar në konfliktet nga Lindja e Mesme deri në Evropë.

Megjithëse nuk konsiderohet një armë shumë e sofistikuar, droni Shahed është projektuar për një mision të vetëm: Të përplaset mbi objektiv dhe të shpërthejë. Me krahë në formë delta dhe një zhurmë karakteristike metalike, ai mund të identifikohet lehtësisht në qiell përpara se të përfundojë sulmin me një shpërthim të fortë.

Droni është relativisht i lirë, kushton mesatarisht rreth 50 mijë dollarë dhe mund të mbajë deri në 50 kilogramë eksploziv. Edhe pse nuk është mjaftueshëm i fuqishëm për të rrëzuar ndërtesa të mëdha, ai mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme dhe mbi të gjitha të krijojë panik.

Sipas raportimeve, Irani i ka përdorur këto dronë në sulme ndaj objektivave në Bahrejn, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe madje kundër objektivave ushtarake amerikane dhe evropiane, përfshirë instalime në Akrotiri.

Historia e dronëve Shahed fillon më shumë se një dekadë më parë në laboratorët e Shahed Aviation Industries Research Center, një kompani iraniane e lidhur me Gardën Revolucionare.

Fillimisht Irani i përdori këto dronë kundër cisternave të naftës dhe infrastrukturës energjetike saudite. Autonomia e gjatë, navigimi i programuar paraprakisht dhe kostoja e ulët i bënë ata idealë për sulme në numër të madh.

Në vitin 2025, Teherani njoftoi se kishte shtuar 1.000 dronë strategjikë në flotën e tij, ndërsa ekspertët vlerësojnë se Irani mund të ketë në total mes 4.000 dhe 6.000 dronë Shahed.

Që nga viti 2022, këta dronë janë përdorur gjerësisht në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi Teherani e furnizoi Moskën me këtë teknologji.

Në qiellin e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, zhurma e tyre është krahasuar me një “motor motoçiklete të zemëruar”. Rusia jo vetëm që i përdori, por edhe i kopjoi dhe i modifikoi, duke krijuar variante të reja si Geran-2, me rreze më të madhe dhe sisteme komunikimi më të avancuara.

Raportet e mediave perëndimore flasin edhe për fabrika në Tatarstan, ku prodhohen këta dronë me fuqi punëtore të lirë.

Përballë kësaj kërcënimi, Shtetet e Bashkuara kanë përshpejtuar zhvillimin e dronëve të vet kamikazë. Një prej tyre është LUCAS drone, i prezantuar në Pentagon në vitin 2025.

Ky dron kushton rreth 35 mijë dollarë, shumë më pak se sistemet e tjera ushtarake si MQ-9 Reaper, dhe mund të lëshohet edhe nga kamionë të modifikuar. Ai mund të përdorë komunikime satelitore si Starlink dhe Viasat.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar një shkëmbim teknologjik: Ukraina është e gatshme të ndajë dronët e saj interceptorë me vendet e Gjirit në këmbim të raketave mbrojtëse Patriot PAC‑3, të nevojshme për të mbrojtur qytetet ukrainase nga raketat balistike ruse.

Sot, droni Shahed, i krijuar fillimisht si një armë asimetrike për një Iran të izoluar, është shndërruar në një element kyç të luftës hibride globale. Analistët paralajmërojnë se konfliktet e së ardhmes mund të dominohen gjithnjë e më shumë nga drona të lirë dhe të sakrifikueshëm, të aftë të godasin objektiva kudo dhe në çdo moment.

Shpërndaje në rrjete sociale