Netanyahu thotë se Irani po prodhon një bombë bërthamore

15:01 | 14 Qershor 2025
E.K

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani ka grumbulluar sasi uraniumi të pasuruar të mjaftueshme për të ndërtuar deri në nëntë armë bërthamore.

Kjo deklaratë vjen në një kohë të tensionuar ndërkombëtare, ndërsa Teherani vazhdon të këmbëngulë se programi i tij nuk synon ndërtimin e armëve bërthamore.

“Irani mund të prodhojë një armë bërthamore në një kohë shumë të shkurtër. Mund të jetë një vit. Mund të jetë brenda pak muajsh. Ky është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për mbijetesën e Izraelit”, tha Netanyahu të premten, kur shpalli fillimin e operacionit “Rising Lion”.

Megjithëse ende nuk ka prova të qarta se Irani ka filluar ndërtimin e një bombe, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka raportuar për përparim të ndjeshëm në prodhimin e komponentit kryesor – uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Në një raport të datës 31 maj, IAEA konfirmoi se Irani zotëron një sasi uraniumi të pasuruar deri në 60% – që ende nuk është i përshtatshëm për armë bërthamore, por nëse pasurohet më tej në 90%, do të ishte teknikisht i mjaftueshëm për ndërtimin e deri në nëntë armëve bërthamore, shkruan CNN.

Rritja e kapaciteteve të pasurimit të uraniumit nga Irani ka nisur pas tërheqjes së SHBA nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018, nën administratën e ish-presidentit Donald Trump.

Nga rreth 150 kg uranium të pasuruar në nivel 3.6% në atë kohë, Irani tani ka mbi 50 herë më shumë sasi të uraniumit të pasuruar, sipas të dhënave të fundit të IAEA.

Të ngjashme