Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten se qëllimi i sulmeve izraelite ndaj Iranit nuk është rrëzimi i regjimit të Teheranit, megjithatë, ai pranoi se një ndryshim i tillë mund të ndodhë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit.
“Çështja e ndryshimit të regjimit ose rënia e këtij regjimi është para së gjithash një çështje që i përket popullit iranian,” tha Netanyahu gjatë një interviste për televizionin publik izraelit Kan. “Kjo nuk është një objektiv i deklaruar apo formal i Izraelit, por mund të jetë një rezultat.”
Komentet e Netanyahu vijnë në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në pikën më të lartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes ushtarake në konflikt. Presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë një vendim brenda dy javësh, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.
Netanyahu gjithashtu theksoi se Izraeli është i gatshëm të veprojë i vetëm për të shkatërruar objektet bërthamore të Iranit, përfshirë edhe uzinën shumë të mbrojtur të Fordow-it pranë qytetit të Qomit, e cila konsiderohet si një nga elementët më kritikë të programit bërthamor iranian.
“Ne kemi fuqinë për të hequr të gjitha objektivat tona, të gjitha objektet e tyre bërthamore,” tha Netanyahu, duke shtuar se bashkëpunimi me SHBA-në do të ishte i mirëpritur, por jo vendimtar. “Presidenti Trump do të bëjë atë që është më e mira për Shtetet e Bashkuara, dhe unë do të bëj atë që është më e mira për Shtetin e Izraelit,” u shpreh ai.
Analistët ushtarakë besojnë se për të shkatërruar plotësisht Fordow-in, Izraeli mund të ketë nevojë për përdorimin e bombave të specializuara amerikane që shkatërrojnë bunkerët në thellësi të tokës. Megjithatë, Netanyahu la të kuptohet se edhe pa ndihmën e SHBA-së, Izraeli është i gatshëm të veprojë i vetëm në mbrojtje të sigurisë kombëtare./euronews.al
Haxhiu: 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së është fyerje pë...
BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel ma...
Nga sot, Policia me kontrolle të shtuara për kamionë dhe aut...
Prokurori Pache pretendon se UÇK-ja keqtrajtoi njerëz
Peci: Kërkesa për dënime në bllok ngjan me dënim kolektiv
Qeveria publikon programin e aktiviteteve për 18-vjetorin e ...