Autoritetet policore njoftuan se nëntë persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë, mëngjesin e së martës, në Denver të Kolorados, në një zonë ku tifozët e basketbollit ishin mbledhur për të festuar fitoren për herë të parë të kampionatit të basketbollit NBA, nga ekipi Nuggets.
Policia arrestoi autorin e dyshuar për ngjarjen, që gjithashtu kishte mbetur i plagosur.
Autoritetet dyshojnë se të shtënat erdhën pas përplasjeve mes dhjetëra personave, rreth 1.5 kilometra larg stadiumit “Ball Arena”, ku ekipi Nuggets fitoi titullin e parë të Kampionatit të Federatës Kombëtare të Basketbollit, pasi arriti të mundë kundërshtarët e Miami Heat, të hënën në mbrëmje.
Policia e Denverit njoftoi se të shtënat u regjistruan rreth orës 12.30 pas mesnate, rreth tri orë e gjysmë pas ndeshjes, dhe se tre prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autori i dyshuar ishte mes personave që u plagosën, por plagët e marra nuk paraqesin rrezik për jetën e tij.
“Po vazhdojmë hetimet mbi shkaqet që mund të kenë çuar në përshkallëzimin e situatës deri në përdorimin e armëve”, tha zëdhënësi i policisë, Doug Schepman.
“Ndodhi në një zonë ku ishin mbledhur një numër shumë i lartë tifozësh për të festuar”, shtoi ai. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë të ngjarjes dhe zëdhënësi foli gjithashtu për zgjerim të rrethit të hetimeve.
Tetë persona janë shtruar në spitalin “Denver Health Medical Center”; një është në gjendje kritike për jetën, një në gjendje të qëndrueshme dhe gjashtë në gjendje të mirë, tha zëdhënësja e spitalit Heather Burke./VOA/
Rekomandimi i “Travel and Tour World”: Vizitoni Shqipërinë g...
Më shumë diell, më pak shi – Parashikimi i motit për p...
Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat ...
Vdes veterani i UÇK-së Shani Kurtaj
Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shq...
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...