Në Atlantik kapet një “narko-nëndetëse” me 1.7 ton kokainë

23:42 | 4 Nëntor 2025
E.G

Katër persona janë arrestuar pasi autoritetet portugeze kanë ndaluar një “narko-nëndetëse” që transportonte më shumë se 1.7 ton kokainë në mes të Oqeanit Atlantik.

Anija gjysmë-nëndetëse ishte nisur drejt gadishullit Iberik dhe u kap gjatë ditëve të fundit, sipas zyrtarëve.

Pamjet tregojnë policinë dhe marinën portugeze duke rrethuar mjetin lundrues, duke hipur në bord, sekuestruar lëndën narkotike të klasës A dhe arrestuar katër anëtarët e ekuipazhit, të cilët raportohet se janë nga Amerika e Jugut.

Të dyshuarit – përkatësisht dy ekuadorianë, një venezuelian dhe një kolumbian – u lanë në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në ishujt Azore të martën, njoftoi policia, raporton BBCNews.

Vítor Ananias, shefi i njësisë portugeze për luftën kundër trafikut të drogës, tha në një konferencë për shtyp se kombësitë e ndryshme të të arrestuarve tregojnë se organizata që qëndron pas tyre nuk është e bazuar vetëm në një vend.

Qendra për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), me seli në Lisbonë, njoftoi se kishte marrë informacione ditët e fundit se një organizatë kriminale po përgatiste nisjen e një mjeti nëndetar të ngarkuar me kokainë të destinuar për Evropë.

Pak ditë më vonë, një anije portugeze arriti ta lokalizojë mjetin rreth 1,852 km larg bregdetit të Lisbonës, në një operacion të mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) dhe Administrata Amerikane e Zbatimit të Ligjeve për Drogën (DEA).

Pas sekuestrimit të mjetit, marina portugeze tha se nuk mund ta tërhiqte atë në breg për shkak të kushteve të këqija të motit dhe ndërtimit të tij të brishtë, dhe se më vonë ai u mbyt në det të hapur./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale