Në Uashington, po fillon një fazë e re në hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller pasi ish-menaxheri i fushatës së presidentit Donald Trump, Paul Manafort, deklaroi se është fajtor për dy akuza për krime.
Manafort ra dakord të bashkëpunojë me prokurorët për lidhjet e dyshuara mes Moskës dhe rrethit të brendshëm të kandidatit të atëhershëm Trump – që mund të ketë ndikuar në garën presidenciale 2016.
Paul Manafort ishte në qendër të fushatës për zgjedhjen e presidentit Trump dhe kishte qasje në informacionet e tij konfidenciale, komunikimet, shënimet dhe mbledhjet me dyer të mbyllura. Ai ishte i pranishëm në një takim të vitit 2016 mes djalit të kandidatit Trump dhe një avokateje ruse, e cila premtoi materiale negative për rivalen demokrate Hillari Klinton.
“Bëri gjënë e duhur, është një zgjedhje e zgjuar”, thotë Ken Starr i cili drejtoi hetimin e çështjes Whitewater të ish-Presidentit Bill Klinton në vitet 1990.
Duke nënshkruar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, Manafort përballet me dënime për vetëm dy nga tetë krimet financiare për të cilat ai ishte dënuar muajin e kaluar dhe shmang një gjyq të dytë. Marrëveshja mund të shfuqizohet nëse Manafort mban informacione ose kapet duke gënjyer.
“Është një ditë e vështirë për zotin Manafort, por ai ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij”, tha Kevin Downing, avokati i zotit Manafort.
Trump, i cili e quajti Manafortin një “njeri të guximshëm” pas dënimit të tij, të dielën shkroi në Twitter: “Lufta e Gjuetisë së Muellerit vazhdon në kërkim të një krimi. Nuk ka patur asnjë bashkëpunim me Rusinë. ”
Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thekson se krimet e zotit Manafort janë për periudhën para fushatës së 2016-s dhe nuk përfshijnë presidentin Trump.
Çfarë mund të mësojë Muelleri nga Manaforti?
“Një marrëveshje e tillë arrihet nëse prokurorët janë të sigurt se do të nxjerrin informacion mbi objektiva më të rëndësishëm të hetimit. Kush është mbi Paul Manafortin, i cili ishte kreu i fushatës Trump? … Ndoshta, përfundimisht, presidenti”, thotë Norman Eisen, jurist për etikën në administratën e ish-Presidentit Obama.
Sido që të jetë, disa shohin dritë në fund të një tuneli të gjatë..
“Kjo është shumë e dobishme, mendoj për popullin amerikan. E di që vendi është i ndarë. Por ne duhet të kërkojmë të vërtetën. Le të nxjerrim faktet … Dhe unë mendoj se Mueller është në një situatë tani për të na ndihmuar ta bëjmë këtë”, thotë zoti Starr.
Hetimi i Prokurorit të Posaçëm filloi në maj të vitit të kaluar dhe mund të zgjatet për shumë muaj të tjerë.
Putin: Nuk do të ketë më luftë, nëse Perëndimi e trajton Rus...
Bahamas njeh Kosovën, Begaj: Kontribut domethënës për paqen
Parashikimi i motit për sot
Si ta parandaloni shfaqjen e njollave të bardha në rroba pas...
Parashikimi i motit – Mjegull në fundjavë dhe ditëve të para...
Bologna në finalen e Superkupës së Italisë, fiton dramën nda...