Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka përshëndetur marrëveshjen e re kornizë të arritur me Iranin, duke e cilësuar si një “hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur për rifillimin e inspektimeve bërthamore dhe forcimin e bashkëpunimit me Teheranin.
Lajmi vjen pas një takimi të zhvilluar në Kajro, ku Grossi dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ranë dakord për modalitetet praktike për të rifilluar aktivitetet e inspektimit në Iran.
Në një postim në platformën X, Grossi njoftoi se gjatë takimit me Araghchi-n në Kajro, të dy palët përcaktuan hapat konkretë për të mundësuar kthimin e inspektorëve të IAEA-së në objektet bërthamore të Iranit. Kjo marrëveshje vjen pas një periudhe tensionesh të larta, ku Irani kishte pezulluar bashkëpunimin me agjencinë bërthamore të OKB-së në korrik 2025, pas sulmeve ushtarake izraelite dhe amerikane ndaj objekteve të tij bërthamore gjatë një konflikti 12-ditor në qershor të po atij viti.
Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, gjithashtu përshëndeti kornizën e re të bashkëpunimit mes Iranit dhe IAEA-së, duke e konsideruar atë si një mundësi për të hapur një “rrugë të re” drejt negociatave për programin bërthamor të Iranit.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kajro me Araghchi-n dhe Grossi-n, Abdelatty shprehu shpresën se marrëveshja mund të çojë fillimisht në një “mirëkuptim” me fuqitë evropiane, të cilat kanë kërcënuar me rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, dhe më pas të hapë rrugën për kthimin në tryezën e bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara
Grossi ka theksuar vazhdimisht nevojën për inspektime “të fuqishme” për të garantuar natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit.
Në një intervistë për CBS News, ai deklaroi se, pavarësisht dëmeve të rënda, kapacitetet industriale dhe teknologjike të Iranit mbeten të paprekura, duke e bërë të mundur që Teherani të rifillojë pasurimin e uraniumit brenda pak muajsh. Kjo marrëveshje e re synon të adresojë këto shqetësime duke lejuar inspektorët e IAEA-së të kthehen në objekte si centrali bërthamor i Bushehr-it dhe të verifikojnë stoqet e uraniumit të pasuruar, përfshirë rreth 400 kg uranium të pasuruar në nivel 60%, që konsiderohet afër nivelit të nevojshëm për armë bërthamore.
/rtsh.al/
KQZ tërheq shortin, këta janë numrat e partive për zgjedhjet...
Agjencia e OKB-së: Mburoja në Çernobil kundër rrezatimit “hu...
Samiti “Time To Decide Europe 2025”, Rama: Shqipëria u çmua ...
PDK garon me numrin 130 në zgjedhjet e 28 dhjetorit
123 – numri që do të mbajë LDK për zgjedhjet nacionale
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, ky është numri me të cilin garon N...