Marina Mbretërore do të shoqërojë anijet britanike në Ngushticën e Hormuzit

08:52 | 26 Korrik 2019

Marina Mbretërore Britanike do të shoqërojë anijet britanike në Ngushticën e Hormuzit, njoftuan sot nga qeveria britanike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga pronarët e anijeve është kërkuar që të njoftojnë Departamentin e Transportit për kalimin e tyre në ngushticë, që mori vëmendje pas veprimit të javës së kaluar të Iranit për të konfiskuar anijen Stena Impero që lundronte me flamurin britanik.

Një fregatë, HMS Montrose, është caktuar që të lundrojë pranë anijeve që përdorin ngushticën për t’i mbrojtur.

Qeveria paraprakisht ka kërkuar nga të gjithë tankerët dhe anijet tjera britanike që të shmangin kalimin nëpër ngushticë për një “periudhë të përkohshme”.

Britania e Madhe ka denoncuar konfiskimin e tankerit të naftës nga ana e Iranit si një “akt armiqësor”, për të cilin pretendon se ka ndodhur në ujërat e Omanit.

Sipas zyrtarëve iranianë, Britania ka dërguar një ndërmjetësues në Iran.

Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, të hënën akuzoi Iranin për “pirateri shtetërore” për ndalimin e anijes britanike, duke i kërkuar që menjëherë të lirojë anijen dhe stafin e saj.

Konfiskimi i tankerit britanik erdhi pas konfiskimit të një tankeri iranian para disa javësh në Gjibraltar, që është territor britanik.

Marina Mbretërore ndaloi tankerin iranian të naftës që ishte nisur për në Siri më 4 korrik në Gjibraltar, duke ia ndaluar hyrjen në Detin Mesdhe.

Irani ka kërkuar lirimin e ekuipazhit dhe anijes së tij, duke akuzuar flotën mbretërore për pirateri dhe ka kërcënuar Londrën me masa hakmarrëse, retorikë e cila po rrit tensionet mes dy vendeve në një rajon tashmë të provokuar me luftë.

Bashkimi Evropian (BE) ka imponuar një sërë sanksionesh ndaj regjimit të Bashar al-Assadit në Siri në përgjigje të goditjes së rëndë ndaj protestave paqësore pro-demokratike në vitin 2011 dhe luftës civile që pasoi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara