Kryq i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) tha se qindra fëmijë janë të burgosur në burgjet e të rriturve në Sirinë verilindore.
Agjencia tha se fëmijët, kryesisht djem, janë dërguar në burgje pasi janë marrë nga kampi al-Hol, i drejtuar nga forcat kurde siriane. Në këtë kamp janë rreth 60,000 njerëz që kanë qenë të lidhur me luftëtarët e Shtetit Islamik (IS) nga më shumë se 60 vende.
Shumica janë gra dhe fëmijë që u larguan atje pasi bastionet e fundit të IS-it u shkatërruan dy vjet më parë.
“Qindra fëmijë, kryesisht djem, disa të moshës 12 vjeç, janë të arrestuar në burgjet e të rriturve. Ata nuk u përkasin këtyre vendeve”, tha Fabrizio Carboni, drejtori rajonal i ICRC-së për Lindjen e Mesme, në një konferencë për shtyp.
Vitin e kaluar, kjo organizatë, ka bërë 36 vizita në objektet e paraburgimit. ICRC është organizata e parë që ka pasur qasje të tillë.
ICRC gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga kampi al-Hol dhe të mbajnë familjet e bashkuara “siç e parasheh ligji ndërkombëtar”.
Carboni, e ka vizituar katër herë në dy vitet e fundit kampin al-Hol.
“Thjeshtë nuk mund të mësohem me atë pamje kur shoh aq shumë fëmijë prapa telave me gjemba”, tha ai.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve UNICEF ka thënë se, gushtin e kaluar, tetë fëmijë nën 5 vjeç kishin vdekur në kamp, gjysma nga ndërlikimet e lidhura me kequshqyerjen.
Shtetasit e Kosovës në Siri
Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar). Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor.
Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre.
Shtetet e Gjirit raportojnë sulme të reja me raketa dhe dron...
Rinisin punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prish...
Brikena e pranon për herë të parë: Kam pëlqim për Mateon
Hajnat depërtojnë me forcë brenda një shtëpie në Gjakovë, vj...
Theret me thikë një person në Prishtinë
Rrahje mes pesë personave në Vushtrri, dy prej tyre bëhen pë...