Kryeministri izraelit: Ekziston një mundësi e mirë për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve

17:43 | 9 Korrik 2025
E.K

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ekziston një “mundësi e mirë” për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Hamasin, e cila do të përfshijë edhe lirimin e pengjeve që ndodhen ende në Rripin e Gazës.

Komentet e tij u bënë gjatë një interviste për rrjetin Fox Business, pak përpara takimit të tij me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon.

“Unë besoj se ka një mundësi të mirë që të kemi një armëpushim,” tha Netanyahu, duke konfirmuar se negociatat po vazhdojnë intensivisht në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve.

Sipas një zyrtari izraelit që foli për Times of Israel, pengesa kryesore në bisedime mbetet kërkesa e Izraelit për të ruajtur praninë e tij ushtarake në Gazë, konkretisht në Korridorin Morag, në veri të Rafahut.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje për ndalimin e luftimeve, Tel Avivi insiston që trupat izraelite të qëndrojnë në këtë zonë strategjike.

Netanyahu theksoi gjithashtu filozofinë e tij të politikës së jashtme, duke nënvizuar se paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes forcës.

Ai iu referua aleancë së tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe mbështetjen ndaj të ashtuquajturës “doktrinë e paqes përmes forcës”.

“Ne kemi treguar forcë të madhe dhe duket se po jep fryte për paqen,” deklaroi Netanyahu.

“Kjo mund të ndihmojë në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe në krijimin e një realiteti të ri në Lindjen e Mesme, me më shumë prosperitet dhe stabilitet.”

Shpërndaje në rrjete sociale