Komisionerja për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar të martën në Parlamentin Evropian se Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, por kjo mund të ndodhë vetëm kur Këshilli i BE-së t’i japë mandatin zyrtar.
“Komisioni Evropian mbetet i gatshëm të përgatisë opinionin për anëtarësimin e Kosovës në BE kur të marrë një kërkesë nga Këshilli i BE-së. Por më lejoni të jem e qartë: rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka theksuar Kos gjatë një debati në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të formojnë sa më shpejt institucionet e reja dhe të përqendrohen në reforma thelbësore.
“Në Kosovë, pas zgjedhjeve, është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat kyçe në sistemin e drejtësisë, në media dhe në administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend aktiv janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i BE-së për reforma dhe zhvillim për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar mes tjerash Kos.
Kosova ka më shumë se dy vjet që ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE, por Këshilli i BE-së ende nuk e ka shqyrtuar aplikimin.
OVL e UÇK-së distancohet nga individët në protestën në Shqip...
15 vjet më vonë, e njëjta histori: Atlético i mbyll derën Re...
Numërohen 45% e votave për deputetë, Kurti e kalon 105 mijës...
Vashat e Kosovës fitojnë bindshëm ndaj Gjibraltarit, siguroj...
FBI dhe autoritetet kanadeze asistojnë Policinë e Kosovës në...
“Na bëni të qeshim më shumë se Barcelona” – Atletico i...