Konferenca e Rektorëve, Rama: Ndërtojmë 2 kampuse të reja universitare në Tiranë dhe Durrës

15:58 | 15 Janar 2026
E.G

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Konferencën e Rektorëve, ka njoftuar se do të ketë ndryshime në Ligjin e Arsimit të Lartë. Në tryezën me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, kreu i qeverisë theksoi se do të ngrihet një grup i përbashkët pune për të konstatuar dhe hartuar ndryshimet e nevojshme, me synimin që baza e tyre të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar.

“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë pasi tani ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj ndryshimet që ka sjellë koha, por edhe konstatimet e praktikës, në raport me kornizën e ligjit. Kemi një praktikë të mirë të mëparshme, ligji aktual është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj, kështu që besoj se ky do të jetë rasti përsëri dhe besoj se edhe për shkak se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një përmbysje si në rastin kur u shkrua ligji, por për korrektime, do të jetë e mundur ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshëm dhe ma ha mendja që nuk do presion sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të këtij sesioni, fillim të sesionit tjetër, por e rëndësishme është që do organizohemi me një grup pune të përbashkët për të konstatuar dhe shkruar ndryshimet”, u shpreh ai.

Kryeministri njoftoi gjithashtu ngritjen e kampusit të madh të Tiranës dhe hapjen e procesit për kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Për kampusin e Durrësit, Rama tha se ka pasur interes nga 40 studio ndërkombëtare. Projekti parashikon edhendërtimin e një kompleksi rezidencial studentor.

“Jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat. Kemi dy kampuse përpara, kampusin e madh të Tiranës dhe kemi hapur procesin për kampusin e Universitetit Aleksandër Moisiu. Kemi patur një interes nga 40 studio ndërkombëtare. Ka potencial për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve, duke pas parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit he për këtë do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial që të ndihmojmë në zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për çmimet e larta të qirave. Jemi në një moment të ri ndryshimi për Arsimin e Lartë”, bëri me dije Rama.

Rama theksoi se universitetet shqiptare duhet të përballen me dy sfida kryesore: Ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ai vuri në dukje se Universiteti i Tiranës dhe disa institucione të tjera kanë rritur kapacitetin e tyre financiar jashtë buxhetit të shtetit, duke përfituar nga fondet europiane dhe duke krijuar projekte e partneritete ndërkombëtare.

“Nuk duhet ta humbasim nga vëmendja se sfida jonë e përbashkët dhe themelore është nga njëra anë ndërkombëtarizimi i universitetit dhe nga ana tjetër racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ka ndodhur një ndryshimi i rëndësishëm në qasjen e universitetit ndaj financimit. Deri dje gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit, sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit, duke qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe projekte apo partneritete europi9ane dhe duke përfituar nga fondet europiane. Diçka që sigurisht ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe ka krijuar një situatë të re. Do të doja që në takimin e ardhshëm, ne të mblidheshim për të diskutuar hapur këtë proces dhe do doja të ftonim të gjithë rektorët edhe të universiteteve private. Sfida është, hajde t’i riorganizojmë në një sistem shumë më kompetitiv, të besueshëm dhe shumë më të gatshëm për të përballuar të gjithë ato që do të vijën me anëtarësimin në BE. Universiteti është aleati më i rëndësishëm i vetë vendit në një proces si ky”, tha Rama.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale