
Waving Iran flag above skyline of Tehran at sunset.
Lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i hodhi poshtë të mërkurën thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar përballë bombardimeve nga Izraeli dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të pësojë “dëme të pariparueshme” nëse përfshihet ushtarakisht.
Deklaratat e Khameneit u lexuan nga një spikere në televizionin shtetëror iranian.
Khamenei – i cili është parë vetëm një herë prej se filluan sulmet javën e kaluar – i bëri këto komente pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi nga Irani të “dorëzohet pakushte” dhe e paralajmëroi Khamenein se SHBA-ja e di ku ndodhet ai, por nuk ka plane ta vrasë, “tani për tani”.
Trump fillimisht u distancua nga sulmi i papritur i Izraelit të premten, i cili e shkaktoi konfliktin, por ditët e fundit ka lënë të kuptohet se mund të ketë përfshirje më të madhe amerikane, duke thënë se dëshiron “diçka shumë më të madhe” sesa thjesht një armëpushim.
SHBA-ja gjithashtu ka dërguar më shumë avionë ushtarakë dhe luftanije në Lindjen e Mesme.
“Kombi iranian nuk dorëzohet”
Khamenei i hodhi poshtë deklaratat “kërcënuese dhe absurde” të Trumpit.
“Njerëzit e mençur që e njohin Iranin, popullin e tij dhe historinë e tij, kurrë nuk i flasin këtij kombi me gjuhën e kërcënimit, sepse kombi iranian nuk është ai që dorëzohet”, tha Khamenei.
“Amerikanët duhet ta dinë se çdo përfshirje ushtarake nga SHBA-ja do të shkaktojë pa dyshim dëme të pariparueshme për ta”, shtoi ai.
Televizioni shtetëror tha se do ta transmetojë më vonë një video ku Khamenei shihet duke e dhënë fjalimin e tij. Irani ka vepruar njëlloj edhe më parë kur ka lëshuar deklarata nga lideri suprem, ndoshta për arsye sigurie. Vendndodhja e Khameneit nuk dihet.
Një zyrtar iranian më herët të mërkurën paralajmëroi se ndërhyrja e SHBA-së do të rrezikonte “luftë të gjithanshme”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, nuk dha hollësi, por mijëra trupa amerikane janë të vendosura në vende përreth që janë brenda rrezes së armëve iraniane.
SHBA-ja ka kërcënuar me përgjigje të fuqishme ndaj çdo sulmi.
Një zyrtar tjetër iranian tha se vendi do ta vazhdojë pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, duke lënë të kuptohet se kërkesat e Trumpit që Irani të heqë dorë nga programi bërthamor janë të papranueshme.
Izraeli i nisi bombardimet ndaj Iranit të premten e kaluar dhe të mërkurën ushtria izraelite tha se ka kryer gjithashtu sulme në Iranin perëndimor, duke goditur depo raketore dhe një raketahedhës të mbushur.
Izraeli i ka goditur disa objekte bërthamore dhe ushtarake, duke vrarë gjeneralë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Një grup për të drejta e njeriut me seli në Uashington tha se të paktën 585 njerëz, përfshirë 239 civilë, janë vrarë dhe mbi 1.300 janë plagosur në Iran.
Irani i ka lëshuar rreth 400 raketa dhe qindra dronë në sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, duke i vrarë të paktën 24 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Disa raketa kanë goditur ndërtesa banimi në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme të mëdha, dhe sirenat e sulmeve ajrore i kanë detyruar izraelitët të strehohen disa herë./rel
Gjiganti anglez tërhiqet nga gara për Semenyon, vazhdon R...
Rrahmani shkëlqen në stinorin vjeshtor tek Sparta, top golas...
Kurti paralajmëron investim në Trepçë, thotë se do të vijë n...
Xhaka për Alonson: Kur ai hynte në dhomat e zhveshjes dhe fi...
Zelensky bisedë telefonike me Von der Leyen: BE po e mbështe...
Qytetarja nga Ferizaj gjen 470 euro dhe i dorëzon në polici