Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.
Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka rritur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Protestat e tyre kanë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.
Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.
Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar./rel
“Koalicion gjigant”, Azemi i VV-së “përplaset” me Sokol Havo...
Hill: Kurti duhet të punojë më shumë në të dëgjuarit dhe të ...
Begaj sot dhe nesër në Kosovë, policia njofton për ndërprerj...
Qeveria depoziton në Kuvend projektligjet për Shërbimin e Ja...
Klopp ose Zidane pasues i Alonso-s te Real Madridi
Reporterët pa Kufij: 67 gazetarë u vranë në 12 muajt e fundi...