Katër palestinezë të vrarë, OKB dënon zjarrin izraelit

18:38 | 16 Nëntor 2025
E.G

Edhe pse armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon të qëndrojë në fuqi, nga terreni ende vijnë njoftime për incidente të përditshme vdekjeprurëse. Sipas të dhënave të fundit, si pasojë e operacioneve të forcave izraelite, që nga orët e mëngjesit në incidente të ndara në Rripin e Gazës janë vrarë tre civilë palestinezë, ndërsa është njoftuar se një civil tjetër palestinez është vrarë në kampin e refugjatëve Fara’a, në afërsi të qytetit Tubas në Bregun Perëndimor.

Sipas raporteve mediatike, i riu palestinez u vra gjatë një operacioni të forcave izraelite, të cilat bastisën disa lagje të kampit, zyrtarisht në kërkim të militantëve.

Njëkohësisht, OKB-ja ka dënuar ashpër incidentin e fundit në Liban, ku sërish u raportua se forcat izraelite kanë hapur zjarr drejt paqeruajtësve të OKB-së të vendosur në jug të vendit, përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

Sipas OKB-së, forcat izraelite hapën zjarr nga një tank drejt paqeruajtësve të UNIFIL-it, të cilët ishin duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Veprimi u dënua ashpër edhe nga autoritetet libaneze, ndërsa Tel Avivi zyrtar tha se incidenti ndodhi për shkak të “kushteve atmosferike dhe vizibilitetit të kufizuar”.

Megjithatë, OKB-ja tha se incidenti është shqetësues, pasi gjatë javëve të kaluara paqeruajtësit e UNIFIL-it disa herë janë gjendur nën zjarr izraelit dhe ka shtuar se i ka kërkuar Tel Avivit të urdhërojë përmbajtje të plotë të ushtarëve në zonat ku operojnë paqeruajtësit./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme