Ka ndërruar jetë vogëlushi britanik Alfie Evans, prindërit e tij humbën betejën për ta mbajtur gjallë!

08:02 | 29 Prill 2018
Arbresh.info
Sot  ka ndërruar jetë Alfie Evans, djali 23-muajsh britanik, prindërit e të cilit nuk fituan betejën ligjore për ta mbajtur ende gjallë fëmijën në gjendje kome.
Në kundërshtim me dëshirën e prindërve, doktorët fikën pajisjet mjekësore që mbanin gjallë vogëlushin, pasi konkluduan se do të ishte i kotë trajtimi i mëtejshëm mjekësor. Alfie vuante nga një sëmundje që shkakton dëm të pariparueshëm në tru.

Prindërit u përpoqën për muaj të tërë të bindin gjykatat për të lejuar transferimin e djalit te spitali i fëmijëve i Vatikanit, në mënyrë që të vazhdonte të mbahej në jetë artificialisht. Por, pas disa vendimeve gjyqësore që bllokuan trajtimin e mëtejshëm mjekësor, doktorët në spitalin e fëmijëve “Alder Hey”, në qytetin Liverpool, shkëputën të hënën pajisjet që e mbanin atë në jetë.

Përpjekjet e prindërve, Kate James dhe Tom Evans, u mbështetën nga Papa Françesku dhe grupe të tjera të krishtera, të cilët gjithashtu ndihmuan për ta vendosur rastin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Evans shkroi sot në Facebook: “Gladiatori im uli sot mburojën dhe hapi krahët për fluturim në orën 02:30. Me zemër plotësisht të thyer”.

Rasti ndezi sërish një debat global nëse duhet të jenë prindërit, doktorët apo gjykatat që të kenë të drejtën për të vendosur për fatin e jetës së një fëmije.

Spitali deklaroi se “jemi thellësisht të prekur për Alfien, Kate, dhe Tom, si dhe për të gjithë familjen. Mendimet tona janë me ta”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme