Ka filluar takimi i shumëpritur mes SHBA-së dhe Iranit

18:11 | 11 Prill 2026
E.K

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe Irani po mbajnë një takim trilateral “kokë më kokë” në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit.

Në një deklaratë të dërguar për gazetarët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “SHBA, Pakistani dhe Irani po mbajnë një takim trilateral ballë për ballë sot.”

Ky takim është një ndryshim i rëndësishëm nga praktika e mëparshme, ku Washingtoni dhe Teherani komunikonin vetëm nëpërmjet ndërmjetësve, pa takime të drejtpërdrejta.

Bisedimet po zhvillohen në kuadrin e përpjekjeve për të forcuar një armëpushim të brishtë dyjavor dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, pas konfliktit të fundit midis SHBA-së dhe Iranit.

Delegacioni amerikan drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili ka takuar më herët kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Delegacioni iranian drejtohet nga kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, bashkë me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi.

Pakistani luan rolin e ndërmjetësit kryesor dhe ka shprehur shpresën se këto bisedime do të shërbejnë si hap drejt një paqeje të qëndrueshme rajonale.

Megjithatë, ka dallime të theksuara midis palëve, ku Irani ka parashtruar disa “kushte paraprake”, ndërsa SHBA-ja ka paralajmëruar se pret nga Teherani që të veprojë në mirëbesim.