Evropa duhet të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj “shpërthimeve armiqësore” të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, duke ofruar një rrugëdalje që përfshin marrëveshje ekonomike dhe të sigurisë, shkroi të martën ish-kryeministri danez dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në një artikull të shkruar për revistën “The Economist”, Rasmussen theksoi mbështetjen e gjatë ushtarake të Danimarkës për SHBA-në dhe vuri në dukje: “Në 52 raste midis viteve 2002 dhe 2021, arkivolët e mbuluar me flamur të bijve dhe bijave të Danimarkës u kthyen në atdhe nga Afganistani dhe Iraku, ku këta ushtarë të rënë kishin dhënë jetën duke luftuar krah për krah me SHBA-në”.
“Danimarka pësoi më shumë viktima në raport me popullsinë e saj se çdo anëtar tjetër i koalicionit të udhëhequr nga Amerika, përveç Gjeorgjisë – madje më shumë edhe se vetë Amerika” shtoi ai.
– “Mjaft është mjaft”
Rasmussen tha se prej kohësh e kishte “admiruar Amerikën”.
“Si kryeministër i Danimarkës dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s, e konsideroja Amerikën si udhëheqësen natyrore të botës së lirë. Por duke parë shpërthimet armiqësore të presidentit Donald Trump kundër njërit prej aleatëve më besnikë të Amerikës, tani duhet të përfundoj se mjaft është mjaft”, tha ai.
Groenlanda, argumentoi ai, nuk paraqet asnjë kërcënim për SHBA-në dhe është e mbrojtur nga NATO-ja.
“Nëse Rusia ose Kina do të përpiqeshin të zbarkonin forca në Groenlandë, ato do të përballeshin me fuqinë e kombinuar të aleatëve të NATO-s, jo vetëm me forcat daneze”, u shpreh ai.
Sipas marrëveshjes së sigurisë SHBA-Danimarkë të vitit 1951, forcat amerikane mund të rrisin praninë e tyre atje dhe Rasmussen sugjeroi se mund të ofrohen stimuj ekonomikë.
“Nëse kompanitë amerikane do të dëshironin të investonin më shumë në burimet e Groenlandës … ato do të ishin të mirëpritura” nënvizoi ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se diplomacia tradicionale mund të mos mjaftojë me Trumpin. “Zoti Trump do të donte ta aneksonte Groenlandën sepse beson se mundet … Ai beson se Evropa është e përçarë dhe e pafuqishme dhe se, kur vjen puna seriozisht, ne do të kapemi pas deklaratave tona të mosmarrëveshjes së thellë ndërsa i japim atij atë që dëshiron”, theksoi Rasmussen.
Rasmussen bëri thirrje për një reagim të fortë evropian nëse SHBA-ja do të sfidonte sovranitetin e Groenlandës.
“Nëse administrata Trump do të përpiqej të ndryshonte një kufi sovran evropian, Amerika duhet të përballet me të gjithë fuqinë e “bazukës” ekonomike të BE-së – me kufizime masive të importeve dhe eksporteve dhe me përjashtimin e kompanive amerikane nga prokurimet publike evropiane”, vuri në dukje ai.
Ai tha se Evropa duhet të veprojë me vendosmëri, duke shtuar: “Duhet të vizatojmë një vijë të pakalueshme në borën e Groenlandës … Duhet të lëvizim shpejt për të zgjeruar marrëdhëniet tona tregtare … për të ulur rrezikun nga tekat e Washingtonit”.
“Evropa, pra, mbetet me një zgjedhje. Ose luajmë lojën e forcës së Trumpit – ose detyrohemi të vuajmë atë që na pret,” shkroi Rasmussen.
Trump për raportet me Evropën:Ata më trajtojnë mirë, por kan...
Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna
Osmani me familjen Rugova dhe korin diplomatik homazhe tek v...
Rrahje masive afër Ferizajt/ Dy persona theren me thikë, sht...
Shpend Ahmeti deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën se nuk...
Begaj përkujton 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës: Moment...