Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në klubin e tij të golfit pranë Majamit përpara paraqitjes në gjykatë, ku do t’i bëhen të ditura akuzat për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare në periudhën pasi la Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.
Dalja para gjykatëses, shënon ngritjen zyrtare të akuzave ndaj tij, që për shkak të interesimit të lartë, u bënë publike para disa ditësh.
Procedura është planifikuar të ndodhë në orën 3 të pasdites së të martës, ndërsa janë vendosur masa të rrepta sigurie në gjykatën federale në qendër të Majamit.
Autoritetet federale kanë shtuar sigurinë përreth godinës dhe zyrtarët e Majamit thonë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.
“Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.
Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.
Një ndihmës i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu u akuzua në lidhje me pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të marrë dokumentet.
Zoti Trump është i pari ish-president që përballet me akuza federale.
Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza.
Ai përballet me akuza penale të një natyre tjetër në Nju Jork në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Gjatë seancës së të martës, gjykatësja do ta informojë zotin Trump për të drejtat e tij dhe do t’i lexojë akuzat e ngritura ndaj tij.
Ai pritet që të vetëdeklarohet i pafajshëm.
Çështja i është caktuar Gjykatëses Aileen Cannon.
Ajo është emëruar nga zoti Trump gjatë kohës që ai ishte president, dhe u kritikua për favorizim të ish-presidentit gjatë vendimeve që mori për këtë çështje vitin e kaluar.
Gjykatësja Cannon ua ndaloi për pak kohë hetuesve federalë shqyrtimin e dokumenteve të marra nga prona e zotit Trump, Mar-a-Lago, gushtin e kaluar dhe emëroi një ekspert të posaçëm për t’i shqyrtuar ato.
Por, një gjykatë apeli e rrëzoi vendimin e saj, duke u shprehur se ajo nuk kishte autoritet për të marrë një vendim të tillë./VOA/
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit