Irani do të dërgojë kutinë e zezë të aeroplanit të rrëzuar që të deshifrohet në Francë

16:02 | 11 Janar 2020

Kutia e zezë e avionit të pasagjerëve ukrainas që u rrëzua nga ushtria iraniane do të ekzaminohet në Francë, pasi Parisi, SHBA-të dhe Kanadaja refuzuan të dërgonin softuerin e nevojshëm për analizën e tij, tha kryehetuesi i Iranit.

Hassan Rezaeifar, shefi i hetimit të Iranit për përplasjen, i tha IRNA të shtunën se vendit i mungon teknologjia e nevojshme për të deshifruar dhe nxjerrë informacionin në kutinë e zezë, një pajisje në bord që regjistron të dhënat e fluturimit, transmeton portali arbresh.info.

Teherani fillimisht u kishte kërkuar Kanadasë, Francës dhe SHBA-ve që të dërgonin pajisjet dhe softuerin e kërkuar, por ata nuk pranuan, tha Rezaeifar.

Irani atëherë propozoi që kutia e zezë të deshifrohet në një strukturë “të paanshme” jashtë shtetit, ku të dhënat mund të nxirren pa ndonjë dëmtim të tij. Franca u zgjodh sepse ka një marrëveshje me Iranin për nxjerrjen e të dhënave nga regjistruesit e fluturimeve, shpjegoi zyrtari.

Hetuesi kryesor tha që vendimi ishte mbështetur nga SHBA, si dhe Ukraina, Kanadaja, Britania dhe Suedia, qytetarët e të cilëve ishin në aeroplanin e rrëzuar.

Franca ka kërkuar zyrtarisht një hetim nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) për rrëzimin e avionit, tha Administrata e Presidentit ukrainas në një deklaratë në lidhje me thirrjen telefonike të Volodymir Zelensky me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Ata kanë rënë dakord që ekspertët francezë të punojnë në nxjerrjen e të dhënave nga regjistruesi i fluturimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara