Hetim në Itali, turistët akuzohen se kanë paguar për të vrarë civilët në Sarajevë

15:35 | 12 Nëntor 2025
Gita

Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim ndaj disa turistëve italianë që dyshohet se kanë paguar deri në 70 mijë paund për të marrë pjesë në “safari njerëzore” gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90, me tarifa shtesë për vrasjen e fëmijëve, raportoi Daily Mail, duke iu referuar mediave italiane dhe spanjolle.

Sipas hetimit, të pasurit italianë me lidhje në qarqe të së djathtës ekstreme, udhëtonin nga Trieste drejt Beogradit me linjën ajrore serbe Aviogenex, për t’u bashkuar për fundjavë me ushtarët serbë të Bosnjës, të cilët mbanin nën rrethim kryeqytetin boshnjak. Ata dyshohet se paguanin 90 mijë dollarë për të qëlluar mbi civilë të paarmatosur nga kodrat përreth qytetit.

Gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës (1992–1996), mbi 10 mijë persona humbën jetën nga snajperët dhe bombardimet, në ngjarjen më të gjatë të këtij lloji në historinë moderne. Rrugë si Ulica Zmaja od Bosne dhe Bulevardi Meša Selimović u bënë të njohura si “Rruga e Snajperëve”, për shkak të rrezikut të përhershëm të goditjes nga plumbat.

Hetimi nisi pas një padie 17-faqëshe të paraqitur nga shkrimtari dhe gazetari milanez Ezio Gavazzeni, me mbështetjen e ish-magjistratit Guido Salvini dhe ish-kryetares së Sarajevës Benjamina Karić (2021–2024). Rasti u frymëzua nga dokumentari “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zupanić, publikuar në vitin 2022, i cili përmbante dëshmi tronditëse mbi “turizmin e snajperëve”.

Të ngjashme