Hamas dorëzon trupat e tre pengjeve izraelite në kuadër të marrëveshjes për armëpushim

22:11 | 2 Nëntor 2025
E.G

Hamas ka dorëzuar tre arkivole që, sipas tij, përmbajnë trupat e pengjeve izraelite të vdekur në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite ka konfirmuar se arkivolet janë marrë përmes Kryqit të Kuq dhe janë transportuar në Izrael për proces identifikimi.

Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për pengje të vrarë, në Gaza do të mbeten edhe tetë trupa të tjerë të pengjeve izraelitë dhe të huaj që nuk janë kthyer ende.

Dorëzimi i sotëm është pjesë e fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila parashikon kthimin e 20 pengjeve të gjalla dhe 28 trupave të të vrarëve që ndodheshin në duart e Hamasit.

 

Izraeli ka akuzuar Hamasin për vonesa në kthimin e trupave, ndërsa grupi palestinez ka deklaruar se po përpiqet të gjejë trupat që mund të jenë ende nën rrënojat e shkaktuara nga bombardimet në Gaza. Brigadat Al-Kasam, krahu i armatosur i Hamasit, thanë se mbetjet njerëzore u gjetën të dielën “në një nga tunelet në jug të Rripit të Gazës”.

Në një reagim pas njoftimit, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu bëri të ditur se familjet e pengjeve janë informuar dhe se “përpjekjet për kthimin e të gjithë pengjeve do të vazhdojnë deri në kthimin e fundit prej tyre”.

Armëpushimi i brishtë mes dy palëve është shoqëruar me akuza të ndërsjella për shkelje. Të dielën, një sulm ajror izraelit vrau një burrë në veri të Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte goditur një militant që përbënte kërcënim për trupat e saj.

Sipas marrëveshjes aktuale, të gjithë pengjet izraelitë të gjallë u liruan më 13 tetor në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë dhe 1 mijë e 718 të ndaluarve nga Gaza. Deri më tani, Izraeli ka kthyer trupat e 225 palestinezëve në shkëmbim për trupat e 15 pengjeve izraelite dhe dy pengjeve të huaj një tajlandez dhe një nepalez, që janë dorëzuar nga Hamasi.

Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona në jug të Izraelit dhe u rrëmbyen mbi 250 pengje, konflikti ka shkaktuar pasoja të rënda humanitare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë që administrohet nga Hamasi, më shumë se 68 mijë e 500 persona janë vrarë në Rripin e Gazës si pasojë e ofensivës izraelite që pasoi sulmin./abcnews.al

Të ngjashme