Një gjykatës tjetër federal bllokoi të hënën urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, që i jep fund të drejtës së shtetësisë për fëmijët e personave që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme. Ai është gjykatësi i tretë që bllokon këtë urdhër.
Vendimi i gjykatësit të Gjykatës së Qarkut në Nju Hempshir, Joseph N. Laplante vjen pas dy vendimeve të ngjashme të gjykatësve në Siatëll dhe Merilend. Padia, e bërë nga Unioni amerikan për të Drejtat Civile, pretendon se urdhri i zotit Trump shkel Kushtetutën dhe “përpiqet që të zhbëjë njërën prej vlerave kushtetuese themelore amerikane”.
Administrata republikane e Presidentit Trump thotë se fëmijët e atyre personave që nuk janë shtetas amerikanë nuk janë “subjekt i juridiksionit” të Shteteve të Bashkuara dhe për rrjedhojë nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë.
Administrata e ka dërguar vendimin e gjykatësit të Siatëllit në gjykatën e apelit.
Në qendër të padive në të tre rastet është Amendamenti i 14 i Kushtetutës, i ratifikuar në vitin 1868 pas Luftës Civile dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në rastin e Dred Scott-it, në të cilin thuhet se Scott, një skllav, nuk ishte shtetas ndërsa jetonte në një shtet ku skllavëria ishte shpallur e jashtëligjshme.
Në vitin 1898, në rastin e njohur si Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Ark, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që fëmijët e vetëm që nuk marrin automatikisht shtetësinë amerikane pasi të lindin në tokën amerikane janë fëmijët e diplomatëve, të cilët janë zotuar për besnikëri ndaj një shteti të huaj; armiqtë që janë të pranishëm në Shtetet e Bashkuara gjatë një situate lufte, ata që kanë lindur në anije të huaja dhe foshnjat e fiseve autoktone në Amerikë.
Shtetet e Bashkuara janë ndër 30 vendet ku aplikohet e drejta e shtetësisë në lindje. Shumica këtyre vendeve janë në Amerikën Latine, ndërkohë që ndër to janë edhe Meksika e Kanadaja./VOA
Blendi Fevziu publikon përgjigjet e patransmetuara të Thaçit...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Fede Valverde reagon për herë të parë pas përplasjes me Aure...
Irani ka sulmuar tre shkatërrues amerikanë pranë Ngushticës ...
Akt barbar: Dëmtohet lapidari i UÇK-së në Binxhë të Klinës
Aston Villa e Freiburg fitojnë me përmbysje dhe sigurojnë fi...