Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënoi sot Rusinë për një hetim joefektiv mbi rrethanat e vdekjes së dy gazetarëve që u vranë në Dagestan, një rajon në pjesën jugore të vendit.
Akhmednabi Akhmednabeyev u vra në makinën e tij më 9 korrik 2013 në fshatin Semeder, dhe Khajimurad Kamalov u vra më 15 dhjetor 2011 në Makhachkala, afër vendit ku ai punonte.
Dy burrat ishin objektiv i kërcënimeve me vdekje në fletëpalosjet e shpërndara në vitin 2009 dhe Akhmednabeyev i kishte mbijetuar një atentati të parë. Hetimi për vrasjen e Akhmednabeyev, sipas informacioneve që disponon GJEDNJ, është ende në vazhdim.
Në lidhje me vdekjen e Kamalov, katër burra u shpallën fajtorë në korrik 2022 për urdhërimin dhe vrasjen e tij. Dy paditësit janë shtetas rusë. Ata janë babai i Akhmednabeyev dhe nipi i tij Kamalov, të cilët iu drejtuan GJEDNJ-së duke pretenduar se autoritetet ruse nuk arritën të mbronin jetën e të afërmve të tyre dhe të kryenin një hetim efektiv për rrethanat e vdekjes së tyre.
Gjykata vendosi se në të dyja rastet ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me hetimin. GJEDNJ urdhëroi Rusinë t’i paguante 26,000 paditësit të parë dhe 20,000 të dytit për dëm moral.
Gjykata, me seli në Strasburg, është krahu gjyqësor i Këshillit të Evropës dhe në të marrin pjesë 46 shtete që njohin të drejtat e parashikuara në Konventë.
Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia u përjashtua nga Këshilli më 16 mars 2022 dhe nuk është më anëtare e Konventës që nga 16 shtatori 2022. Megjithatë, GJEDNJ mund të marrë në konsideratë gjithmonë përgjegjësinë e Moskës për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut që kanë kryer përpara kësaj date./abcnews.al
Çfarë mund të na mësojë një chatbot për të dëgjuar veten
Ec pak, jeto më gjatë – ja çfarë thotë shkenca
I njëjti virus, pasoja krejt të ndryshme: Ja pse disa sëmure...
E konfirmon Kremlini, Witkoff dhe Putin do të takohen nesër
Hamza thotë se PDK do të shkojë në zgjedhje të brendshme kët...
Arrestohen katër persona për disa vjedhje të rënda në Obiliq...