Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Bundestagut gjerman: të martën (18 mars), parlamenti do të votojë një projektligj që do të lejojë futjen e paparë më parë në borxhe për sektorin ushtarak, për infrastrukturën civile dhe për mbrojtjen e klimës në vitet e ardhshme. Përveç kësaj, 16 shtete federale do të mund të marrin hua brenda kufijve të caktuar në të ardhmen. Më parë kjo nuk është lejuar.
Projektligji vjen nga CDU/CSU dhe SPD, të cilët duan të formojnë një qeveri të re federale pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani, si dhe Friedrich Merz (CDU), i cili dëshiron të bëhet kancelar. Por për të arritur një shumicë në parlament, këto tri parti kanë nevojë për të Gjelbrit, të cilët do të jenë në opozitë në të ardhmen.
Pasi të katër partitë arritën një marrëveshje në negociatat e vështira, komisioni i buxhetit i Bundestagut vendosi të dielën (16 mars) të rekomandojë që parlamenti të miratojë projektligjin. Kjo është planifikuar në detaje:
Heqja e frenave të borxhit
Ligji Themelor (Kushtetuta Gjermane – red.) përcakton se shteti mund të shpenzojë vetëm aq para sa merr. Ndërsa “frena e borxhit” zbatohet rreptësisht për 16 shtetet federale, qeveria federale edhe tani ka mundësi të marrë borxhe brenda një kufiri të caktuar – deri në 0.35 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB), ose prodhimit vjetor ekonomik.
1. “Çfarëdo që është e nevojshme” për shpenzimet ushtarake
Për akordimet e nevojshme për mbrojtjen e vendit praktikisht hiqet frena e borxhit. Në projekt-dokumentin që do të votohet nga Bundestagu thuhet se fondet për Bundeswehr-in, por edhe “shpenzimet federale për mbrojtjen civile dhe mbrojtjen e popullsisë, si dhe për shërbimet e inteligjencës, për mbrojtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe për ndihmën ndaj shteteve të sulmuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” në të ardhmen mund të financohen edhe nëpërmjet kredive.
Këtu përfshihet ndihma ushtarake për Ukrainën, e cila është planifikuar të arrijë në katër miliardë euro për vitin 2025, e të cilës ndoshta së shpejti do t’i shtohen edhe tre miliardë euro të tjera.
Rregullorja e re zbatohet për të gjitha kostot që tejkalojnë një për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Bazuar në prodhimin ekonomik të arritur në vitin 2024, një për qind e PBB-së i përgjigjet një shume prej rreth 43 miliardë euro.
Çdo gjë mbi atë shumë nuk do t’i nënshtrohet më kufijve të kredimarrjes në të ardhmen. Kreu i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz e përshkroi rëndësinë e këtij dekreti me fjalët: “Çfarëdo që të nevojitet!”
2. Kredi për landet
Ndalimi i rreptë i huamarrjes nga landet duhet të zbutet dhe të përshtatet me nivelin federal. Të gjitha landet së bashku më pas do të lejohen të marrin hua deri në 0.35 për qind të PBB-së. Shpërndarja e këtyre shumave do të rregullohet nga një ligj federal që ende nuk është hartuar.
Një problem është se landet do të duhet të implementojnë rregullat e reja. Por për këtë ka mosdakordime në parlamentet e landeve. Një mënyrë për të bërë të mundur ndryshimet do të ishte ndryshimi i Kushtetutës, që njëkohësisht do të shfuqizonte aktet e landeve. Por kjo do të ishte një ndërhyrje serioze me federalizmin në Gjermani./dw
Të shtëna në Kentucky State University: Vritet studenti, i d...
62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Zhduket një 16-vjeçare, në Hajvali
Travel and Tour World: Turistët e huaj zgjedhin Parkun Kombë...
Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës...
Capello për penalltinë e Liverpoolit: Ishte skandaloze, simu...