Zjarre të përhapura me shpejtësi nga erërat e forta dogjën të shtunën një sipërfaqe të madhe toke në Long Island të Nju Jorkut, duke lëshuar shtëllunga të dendura tymi në qiell dhe duke shkaktuar evakuimin e një baze ushtarake dhe mbylljen e një autostrade kryesore.
Guvernatorja Kathy Hochul shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se agjencitë lokale po marrin masa për të vënë nën kontroll zjarret rreth zonës pyjore Pine Barrens. Ajo tha se shtëpitë, një fabrikë kimike dhe një magazinë e kompanisë Amazon ishin në rrezik dhe mund të nevojiten evakuime të mëtjeshme.
“Situata është ende jashtë kontrollit në këtë moment,” i tha Guvernatorja Hochul stacionit televiziv Long Island News 12. “Po shohim që njerëzit duhet të evakuohen nga zona Westhampton.”
Zyrtarët thanë se tre nga katër zjarret u vunë plotësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Westhampton është 50% nën kontroll. Dy ndërtesa tregtare u dogjën pjesërisht, por zyrtarët thanë se shtëpitë nuk ishin në trajektoren e zjarrit. Një zjarrfikës u dërgua në spital për t’u trajtuar për djegie në fytyrë.
“Problemi ynë më i madh është era,” tha drejtuesi i Qarkut Suffolk, Ed Romaine. “Ajo po e përhap zjarrin.”
Videot e postuara në mediat sociale tregonin flakë të larta dhe shtëllunga tymi të zi.
Helikopterët e Gardës Ajrore Kombëtare hodhën ujë mbi flakët. Qyteti Southampton nxorri një paralajmërim pasdite kundër ndezjes së zjarreve për shkak të rrezikut./voa
Hoteli i famshëm botëror Burj Al Arab në Dubai do të mbyllet...
SHBA thotë se ka ndaluar një anije mallrash që tentoi t’i sh...
ShBA njofton sanksione të mëtejshme ndaj naftës iraniane
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...