Bashkimi Evropian e ka shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste, pas një shtypjeje brutale ndaj protestuesve që, sipas raportimeve, ka marrë mijëra jetë njerëzish javët e fundit, deklaroi të enjten shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
“Çdo regjim që vret mijëra nga qytetarët e vet po punon drejt shkatërrimit të vet”, shkroi Kallas në rrjetin social X, pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Në hyrje të takimit, ajo u shpreh për gazetarët: “Kjo do t’i vendosë ata në të njëjtin nivel me Al-Kaedën, Hamasin dhe Daesh-in. Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist.”
Kallas shtoi se vendimi, i cili kërkonte mbështetjen unanime të 27 vendeve anëtare të BE-së, erdhi si reagim ndaj raporteve për represion të ashpër kundër protestuesve që dolën në rrugë në dhjetëra qytete iraniane për të shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit klerikal në Teheran.
Përfshirja e Gardës Revolucionare në listën e organizatave terroriste përbën një përshkallëzim të presionit të Bashkimit Evropian ndaj Teheranit, përveç planeve për të vendosur sanksione ndaj më shumë se dy dhjetëra individëve dhe entiteteve të lidhura me shtypjen e protestave ose me mbështetjen e Iranit për Moskën në luftën kundër Ukrainës.
Shpallja e Gardës Revolucionare, e cila numëron dhjetëra mijëra pjesëtarë dhe përbën një degë të rëndësishme të forcave të armatosura iraniane, sinjalizon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet e kryeqyteteve evropiane. Sigurimi i konsensusit kërkonte që vende si Franca dhe Italia, të cilat më parë kishin kundërshtuar këtë hap, të ndryshonin pozicion.
Të mërkurën, Franca hoqi dorë nga kundërshtimi. “Guximi i palëkundur i iranianëve, të cilët kanë qenë objekt i kësaj dhune, nuk mund të shkojë kot. Kjo është arsyeja pse sot do të miratojmë sanksione evropiane ndaj përgjegjësve”, deklaroi ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot.
Edhe Roma ndryshoi qëndrim përpara samitit, duke përmendur brutalitetin e shtypjes në Iran, ndërsa Madridi po ashtu shprehu mbështetjen për këtë vendim, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme spanjolle.
Përpara mbledhjes së ministrave të Jashtëm, ministri holandez David van Weel tha se pamjet e fundit që kanë dalë nga Teherani dhe që dokumentojnë shtypjen e dhunshme kishin kaluar “një vijë të kuqe” për vendet e BE-së. Numri i saktë i viktimave është i vështirë për t’u konfirmuar për shkak të bllokimit të internetit, por vlerësimet fillojnë nga rreth 6.000 të vrarë dhe mund të jenë shumë më të larta.
Shtetet e Bashkuara e shpallën Gardën Revolucionare organizatë të huaj terroriste në vitin 2019 dhe i kanë bërë vazhdimisht thirrje Bashkimit Evropian të ndjekë të njëjtin hap. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të mërkurën se “koha po mbaron” për regjimin iranian dhe se një “armadë masive” po “lëviz me shpejtësi, forcë dhe vendosmëri” drejt vendit.
Dy ekspertë të forenzikës kalojnë me sukses testin ndërkombë...
Pas njoftimit të Trump për armëpushim, reagon Zelensky: Pres...
Gazetari kroat publikoi dokumentin e ri për pjesëmarrjen e V...
Vjedhja e votave, Daka: Asnjëherë s’ka ndodhë në përmasa të ...
Shpërthim i fuqishëm në një rafineri në Turqi
Parashikimi i motit për nesër